“Rregullim autonom, politik dhe territorial” – Kryesia e LDK-së kritikon draft-statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe
Kryesia e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vlerësuar se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës nga Bashkimi Evropian, “përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve”.
“Kryesia vlerëson se draft-statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i dorëzuar Qeverisë së Kosovës, përbën qartësisht një rregullim autonom politik dhe territorial të serbëve të Kosovës dhe si i tillë kthehet në një çështje urgjente për trajtim kushtetues”, thuhet në njoftim për media pas mbledhjes së kryesisë.
“Ky dokument, që buron nga Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, mbështetet në Rezolutën 1244 të OKB-së, krijon pushtet të ri në territorin e Kosovës dhe zëvendëson Gjykatën Kushtetuese me një sistem arbitrazhi”.
Po ashtu në njoftim theksohet se LDK-ja nuk mund të mbështesë asnjë produkt që del jashtë kornizës kushtetuese të Republikës së Kosovës, jashtë sistemit unitar të shtetit tonë, si dhe jashtë rregullimit territorial të tij.
“LDK-ja vlerëson se roli i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i domosdoshëm dhe vendimtar dhe pret që kjo gjykatë të veprojë në përputhshmëri me normën kushtetuese, kurdo që ta trajtojë këtë dokument. LDK-ja konsideron se ky dokument është pasojë e politikave të gabuara të kryeministrit, Qeverisë dhe institucioneve të tjera drejtuese të vendit, si dhe e moskoordinimit me aleatët tanë në fazat më kritike për vendin”.
Sipas LDK-së, koordinimi me kohë i veprimeve me aleatët tanë, në veçanti me SHBA-në, është jetik për funksionimin dhe të ardhmen e vendit tonë.
“LDK-ja vazhdon t’i mbetet besnike idesë fillestare se dialogu me Serbinë duhet të bëhet për njohje reciproke, se Asociacioni i komunave është obligim i yni dhe se ky obligim ndërkombëtar duhet të realizohet në përputhshmëri të plotë me rendin kushtetues të Kosovës”.
Ndërsa Bashkimi Evropian më 1 dhjetor ua ka dorëzuar draft-statutin e Asociacionit partive opozitare, përkatësisht Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Më 12 nëntor për herë të parë u publikua një draft-statut i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin u tha se është ai që Kosova e ka pranuar.
Draft-statuti që emisarët evropiano-amerikanë ia sollën kryeministrit Albin Kurti në zyrë më 21 tetor. Ky draft, përmban 45 nene dhe ndahet në shtatë kapituj.