Rregullorja e re e “Prishtina Parking”, rreth 2 mijë qytetarë do të rimbursohen
“Prishtina Parking” do të implementojë rregulloren e re të parkimit që nga 22 janari i këtij viti.
Kjo ndërmarrje ka njoftuar se si rezultat i hyrjes në fuqi të rregullores së re, do të rimbursojë 1 mijë e 862 qytetarë të cilët janë në parapagim në vlerë prej 44 mijë e 130 euro.
“Qytetarët që janë në parapagim do të rimbursohen përgjatë procesit të regjistrimit të veturave të para pranë ndërmarrjes Prishtina Parking”, thuhet në njoftimin për medie.
Rregullorja e re parasheh një sërë ndryshimesh që prekin mënyrën e parkimit në kryeqytet.
Sipas detajeve të dhëna nga “Prishtina Parking”, tashmë banorët rezidentë do të përfitojnë nga parkimi falas për mjetin e tyre të parë në rrugën ku jetojnë, pasi të kenë kryer një regjistrim të kodifikuar për tërë qytetin, i cili ka një tarifë njëherëshe prej 10 eurosh.
Për mjetin e dytë, tarifa do të jetë më e lirë, duke kushtuar 10 euro në muaj.
Në mes të ndryshimeve të tjera të rëndësishme, laurat do të hiqen nga lagjet rezidenciale dhe do të zgjatet orari i parkimit në Zonat 1 dhe 2 deri në orën 23:00.
Banorët rezidentë do të kenë përparësi në procesin e regjistrimit përpara subjekteve juridike dhe lokaleve të biznesit, dhe parkimi do të jetë falas gjatë ditëve të shtunë dhe të diel në hapësirat e parkimit të hapura.
Njoftimi përfshin edhe informacion se si do të funksionojë sistemi i rimburshimit për parapagimet e bëra për periudhën pas datës 22 Janar, ku përfshihet një zbritje prej 10 eurosh që do të aplikohet si pagesa administrative.
Ajo që e bën këtë rregullore edhe më transparente është procedura e trajtimit të ankesave dhe mundësia e publikimit të përgjigjeve në rast se kërkohet nga ankuesi.
Të gjitha parkingjet tani do të kenë sinjalistikë horizontale dhe vertikale që përmban informata të plota për kufizimet dhe të drejtat.