Rrëmbehen 17 misionarë të krishterë amerikanë në Haiti
Raportohet se 17 misionarë të krishterë amerikanë dhe familjet e tyre, përfshirë fëmijë, janë rrëmbyer nga disa anëtarë të një bande në kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince.
Rrëmbimi ndodhi kur misionarët po dilnin nga një jetimore, raporton New York Times.
Grupi po mbahet nga banda të cilët raportohen që të jenë të armatosur, tha një burim i sigurisë lokale për agjencinë e lajmeve AFP.
Qeveria amerikane ende nuk ka dhënë ndonjë informacion mbi incidentin.
Bandat e armatosura kanë kontrolluar zonat më të varfra të kryeqytetit të Haitit prej vitesh. Kohët e fundit ata kanë zgjeruar kontrollin e tyre në pjesë të tjera të Port-au-Prince dhe zonat e tij periferike, gjë që ka çuar në një rritje të madhe të rrëmbimeve.
Më shumë se 600 rrëmbime u regjistruan në tremujorin e parë të vitit 2021, krahasuar me 231 gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, sipas Qendrës për Analizë dhe Hulumtime në të Drejtat e Njeriut, një grup i shoqërisë civile me qendër në Port-au-Prince, përcjell Klankosova.tv.
Dhuna është përhapur në Haiti – vendi më i varfër në kontinentin e Amerikës – pas vrasjes së Presidentit Jovenel Moise në korrik dhe një tërmeti në gusht që vrau më shumë se 2 mijë njerëz.