Rrëmbehen qindra nxënëse në Nigeri
Qindra nxënëse janë rrëmbyer në shtetin veri-perëndimor të Zamfara të Nigerisë. Incidenti është rrëmbimi i dytë masiv brenda një jave që ndodh në këtë shtet.
Sipas Reuters njerëz të armatosur të panjohur erdhën duke qëlluar në mënyrë sporadike dhe i morën vajzat. Një mësues nga shkolla, i cili dëshironte të mbetej anonim, i tha agjencisë së lajmeve AFP se më shumë se 300 vajza janë rrëmbyer.
Veri-perëndimi i Nigerisë ka parë një rritje të sulmeve nga bandat kriminale të armatosura rëndë në vitet e fundit. Këto grupe drejtohen kryesisht nga motive financiare, por ka shqetësime se ata po infiltrohen nga militantët xhihadistë që zhvillojnë kryengritje në rajon.
Të paktën 42 persona, përfshirë 27 studentë, u rrëmbyen javën e kaluar në Kagara. Në Dhjetor, më shumë se 300 djem u rrëmbyen nga persona të armatosur në Kankara në shtetin Katsina dhe më vonë u lanë të lirë pas negociatave.
Por rrëmbimi i vitit 2014 i 276 nxënëseve në qytetin veri-lindor të Chibok nga militantët islamikë Boko Haram solli vëmendjen globale në sfidat në rritje të sigurisë me të cilat po përballej Nigeria.
Ndërkaq shkollat në Nigerinë rurale veriore janë më të prekshme nga rrëmbimet.