Rrëmbehet një person në Prizren
Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën në orët e hershme të mëngjesit në Prizren, konkretisht rrugën “Turgut Ozal” është rrëmbyer një person.
“Posa është pranuar informacioni, njësite policore kanë vepruar dhe kanë arritur që t’i arrestojnë dy të dyshuar. Sipas raporteve hetimore thuhet se të dyshuarit nën kanosje me armë: njëri me kallashnikov dhe tjetri pistoletë e kanë futur me forcë në veturë viktimën dhe janë larguar në drejtim të panjohur”, ka njoftuar Policia e Rajonit të Prizrenit.
Policia nuk ka treguar nëse personi që është rrëmbyer është burrë apo grua.
“Pas arrestimit janë sekuestruar edhe armët me të cilat dyshohet të jetë kryer vepra. Me urdhër të prokurorit të shtetit, të dyshuarit ndalën nën masën e arrestit policor, ndërkaq hetuesit po punojnë për zbardhjen e rrethanave të rastit”, është thënë në këtë njoftim.