Rrëmbimi i policëve, akt i rëndë provokues për destabilizimin e Kosovës dhe mbarë rajonit
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dënuar aktin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.
Kreu i shtetit thekson se ky është akt i rëndë, që rrezikon destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Ai u kërkon autoriteteve serbe t’i lirojnë menjëherë policët e Kosovës.
Mes të tjerash, Begaj u drejtohet me thirrje vëllazërore autoriteteve të Kosovës.
Deklarata e presidentit:
Rrëmbimi i tre efektivëve të Policisë së Kosovës Brenda territorit Kosovar nga trupat serbe është një akt i rëndë provokativ për destabilizimin e Kosovës dhe mbarë rajonit. E dënoj me forcë këtë akt dhe i bëj thirrje autoriteteve serbe për lirimin e efektivëve kosovarë. Gjithashtu iu bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të ndërhyjnë dhe të shkurajojnë veprime të tjera të ngjashme.
Një thirrje vëllazërore e bëj sërish për autoritetet e Kosovës për të mos rënë pre e provokimeve dhe për të dhënë kontributin e tyre për çensionimin e situatës. Koordinimi me ShBA dhe BE për rikthimin në tryezën e dialogut është tepër i rëndësishëm.