“Rrënimi”, romani i Shqipërisë së Gërdecit
Lulëzim ETEMAJ
Pas romanit “Lora“ (2015), romani më i ri, “Rrënimi”, i botuar këtë vit nga Ndërmarrja botuese “GJON BUZUKU“, Prishtinë, dëshmon se tashmë Leonard Veizi po ecën me sukses hullisë së të shkruarit të romaneve që, përkundër krizës së leximit në të cilën ka rënë shoqëria shqiptare, lexohen me një frymë.
Romani “Rrënimi“, sado që për çështje kortezieautori që në fillim e bën paralajmërimin stereotip, se “Çdo ngjashmëri me personazhe, vende dhe ngjarje reale është rastësi”, është roman drama e të cilit zhvillohet në Shqipëri, ndërsa për subjekt identifikues e ka shoqërinë shqiptare, të reprezentuar nga pjesëtarë të të gjitha kategorive të saj; politikanë, ministra, ushtarakë, policë, gazetarë, media, kryeredaktorë mediash, gazetarë, zbulues e kundërzbulues, civilë e ushtarakë, kriminel e prostituta, të të gjitha kalibrave.
Rrënimi, i të gjitha kodeve, rendeve, rregullave, morale dhe shoqërore, të shkruara dhe të pashkruara, kjo është anija në të cilën ndodhen të gjithë këta së bashku, ku gjithsecili pret që kjo anije të marri kursin drejt cakut final: mbijetimit dhe pasurimit personal. Pasurimit me çdo kusht dhe mjet, për të jetësuar në radhë të parë superëndërra, ku bashkëpunimi, por edhe lufta kundër njëri-tjetrit zhvillohet me një ritëm marramendës, ku rënia, drama e rënies së kokave, përmes plumbit në ballë, vënies së minave, ekzekutimit dhe djegies së kufomave, ashtu si dhe prostitucioni, duke qenë se është shndërruar në një kusht pa të cilin nuk bën, thuajse edhe është shndërruar në një efekt tërësisht anësor.
Një efekt që, mbi të gjitha, e shpërfaq gradën e rënies poshtë të shoqërisë shqiptare. Në funksion të hedhjes dritë mbi këtë rënie si dhe të akterëve të saj, autori Veizi rrëfimin e shoqëron edhe me zhargonin e tyre, gjë që i bën ata, përkatësisht karakteret e tyre, më “njerëzore” për lexuesin. Në shkallën e tragjikes ku ka rënë shoqëria shqiptare, si pasojë e ngërthyerjes nga darat e politikës, deheroizimit nuk mund t’i rezistojnë madje as heronjtë e llojit të heroit të luftës së Kosovës, siç është Kolonel Ernest Arbana, ndërsa ëndërrave dhe ambicieve ndërtuese të arkitekt Martinit, të projektuara si Hotel “Ilirikum Palace”, ju vihen minat që në themele, për t’i shndërruar në një ngrehinë të marrëzisë shqiptare.
Prandaj, përtej simbolikës, në një ambient të tillë të shoqërisë shqiptare, i cilësuar shpesh si një ambient i një shoqërie në tranzicion, anipse ka mbi nëntë vite që kur ka lënë prapa sistemin e kaluar, është tepër domethënëse edhe shterrpësia e dashurisë së Martinit, përkundër dëshirës së flaktë të tij.
Romani “Rrënimi”, i autorit tiranas Leonard Veizi, në fakt është romani i Shqipërisë së Gërdecit. Përballë saj, Gërdeci i vitit 2008, me gjithë rrënimin dhe gjëmën që ka lënë prapa pas shpërthimit, nuk i plotëson as për së afërmi konditat e karikaturës së mirëfilltë të Gërdecit letrar të Veizit, të përmasave 28 mijë kilometra katrore, të përmbledhur mjeshtërisht nën titullin tepër sinjifikativ, “Rrënimi”.
Përfundimi i romanit përmes rrënimit të Iliricumit, sado që e sjellë me vete edhe rrënimin, përmes vetëvrasjes, të Kolonel Arbanës, marrjes në hetuesi të arkitekt Martinit, si dhe ekzekutimin e gazetarit investigativ Nik Morina, e nxjerrë megjithatë në sipërfaqe edhe kurajon civile shqiptare, sado që ajo në këtë rast përballet me një ambient armiqësor, për t’i denoncuar publikisht autorët e rrënimit të shoqërisë shqiptare dhe detyruar edhe segmentet përkatëse të shtetit të fillojnë luftën me krimin, edhe me kushtin që ajo të mos shkojë deri atje ku duhet, shkaku i të qëndruarit prapa tij të politikës, gjyqësisë, policisë, ushtrisë, përkundër zvetnimit, e bën të shqueshme dritëzën e shfaqur në fund të tenelit të shoqërisë shqiptare, të letrarizuar me mjeshtri nga shkrimtari Leonard Veizi.