Rrënjë e thella politike të Republikës së Kosovës
Imer Xhemail Lladrovci
Televizioni i Dukagjinit ka disa javë që ka filluar një cikël interesant bisedash me ish të burgosurë politikë për kohën e kaluar në burgje, kryesisht në ato hetuese. Në këto emisione mësuam të gjithë ne, jo vetëm brezi i ri, se vitet 1980 kishin qenë vite me të vërtetë të vështira. Vitet që do të vijojnë pas tyre, vitet 1990, do të jenë edhe më të vështira, sidomos pas paraqitjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Serbia ishte tërbuar dhe shpëtimin e saj e kërkonte në represion dhe terror. Kosova hynë në një cikël të ri të turbulltë të historisë së saj. Torturat dhe rrahjet jo vetëm që ishin përditshmëria e shqiptarëve, por ato u kthyen në vrasje të shpeshta dhe të pamaskuara si më parë. Serbët dhe shqiptarët luanin me karta hapur. Fitorja do t’i takonte atij që so të gjente mbështetje në Perëndim. Siç tregon ish ministri i jashtëm i Jugosllavisë dhe shkrimtari serb Vuk Drašković, presidenti serb Slobodan Milošević e dinte se kështu do ta humbte Kosovën, por nuk stepej nga kjo mundësi. Ai donte të shfryente mllefin e tij ndaj shqiptarëve duarthatë.
Situata ishte e qartë. Synohej thyerja e vullnetit politik të shqiptarëve, poshtërimi dhe gjunjëzimi i tyre, sepse ishte finalja, asnjëra palë nuk kishte më çka të humbte, maskat kishin rënë përfundimisht. Shteti serb i rrihte dhe i vriste shqiptarët kudo që donte, por edhe shqiptarët në këtë situatë nuk do të rrinin duarkryq. Ata do të organizoheshin ushtarakisht për përballjen me të keqen e madhe që i priste. Askush nuk e dinte se cili do të ishte çmimi i kësaj lufte, por pothuajse të gjithë e dinin se lufta po vinte, ishte një fatalitet që nuk mund të shmangej kurrësesi. Serbët që e morën Kosovën me luftë fillim të shekulli XX, nuk do ta lëshonin ndryshe atë, veçse me luftë. Të kujtojnë Marrëveshjen e Kumanovës me 9 qershor 1999. Kjo marrëveshje në fakt ishte kapitullimi i Serbisë përballë NATO-s. Liria shqiptare ka me të vërtetë rrënjë gjaku, siç thotë ish zëdhënësi i UÇK-së dhe ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi që tani ndodhet si i akuzuar në Gjykatën Speciale të Hagës në Holandë. Si ish i burgosur politik ndoshta edhe ai do të ishte njëri nga të intervistuarit e Ermal Pandurit, sepse Jakup Krasniqi, është protagonist në të dy këto periudha të luftës sonë për çlirim kombëtar nga serbët. Nga ajo që dëgjojmë në këto intervista delë se shpërngulja biblike e vitit 1999 nuk paska qenë diçka që paska ndodhur rastësisht, por qenka diçka brenda logjikës së zhvillimeve historike. Pa mbështetjen e jashtme ne nuk do të ishim këtu ku jemi sot, të çliruar nga policia e soldateska serbe, por, pa as më të voglin dyshim, këtë mbështetje jo vetëm e kemi dëshiruar dhe kërkuar vazhdimisht, por edhe e kemi merituar. Në historinë e botës nuk njihet asnjë rast i vetëm që një popull të ketë arritur të çlirohet vetëm, pa mbështetje nga jashtë. Nëse i referohemi gazetarit të ndjerë amerikan të “The New York Times“-it David Binder, as pushtimi i Kosovës nuk do të kishte qenë i mundur nga një ushtri e shkallmuar serbe pa këtë mbështetje politike që mori atëbotë Serbia nga Antanta fitimtare.
Serbia përmes Jugosllavisë, duke i shfrytëzuar resurset e mëdha të këtij shteti shumëkombësh, kishte derdhur pezmin dhe zemërimin e saj te mbledhur për shumë vite kundër shqiptarëve kryengritës. Kroatët dhe sllovenët në fillim bënë sikur u solidarizuan me politikën e Serbisë ndaj Kosovës, por, siç e dëshmojnë luftërat e tyre në fillim të dhjetëvjeçarit pasues, pa dëshirë dhe me kalkulime. Jo vetëm që nuk ishte e arsyeshme në arenën ndërkombëtare mbështetja e një politike të tillë represive të Serbisë, por, në njëfarë mënyre, kjo politikë shihej edhe si një kërcënim i maskuar ndaj kroatëve dhe sllovenëve, çka dhe ishte në të vërtetë.
Ngjarjet e vitit 1981 ishin një shpërthim i vrullshëm politik, i paparashikuar nga njerëz që merreshin profesionalisht me këto çështje, nga ekspertët. Edhe vetë grupet ilegale që vepronin në atë kohë në Kosovë e në viset shqiptare ishin befasuar nga kjo protestë masive, nga përmasat e reagimit popullor ndaj shtypjes së sofistikuar etnike. Deri më sot, dmth edhe pas 43 vjetësh, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë e organizimit të demonstratave të vitit 1981. Në fakt, edhe nuk mund ta marrë, sepse reagimi politik i shqiptarëve ishte gjithëpopullor dhe jo një reagim që lidhej vetëm me një shtresë të caktuar shoqërore. Shqiptarët, pavarësisht statusit të tyre, shtypeshin pa asnjë përjashtim, askush që i përkiste etnisë shqiptare nuk mund t’i shmangej represionit, i cili kishte shumë fytyra. Sidoqoftë, si në çdo diktaturë, ata që vuanin e pësonin më shumë nga kjo politikë e shtypjes ishin shqiptarët e rëndomtë, që për arsye të ndryshme kishin qëndruar larg pushtetit të pushtuesit që të vriste natën e të qante ditën. Me fjalë të tjera, demonstratat ishin vetëm një formë publike e pakënaqësisë me çfardo zgjidhje false që do të ofronte pushtuesi. Titulli i emisionit: “Tradhëti vëllezërish- shqiptarët dhe UDB-ja“ nuk më ngjanë shumë i qëlluar, sepse tradhëtia nënkupton ekzistencën e vullnetit të lirë, kurse në këtë rast bëhet më shumë fjalë për një lloj manipulimi të njerëzve përmes mënyrash të ndryshme ku vrasja e dhuna fizike ishin mjete të zakonta të UDB-së. UDB-ja shqiptarët nuk i trajtonte si njerëz, por si kukulla, në ndërkohë që shqiptarët te UDB-ja, që në rrjedhën e kohës i ka ndërruar emrat e saj, shihnin të keqen absolute. Shtytja për t‘i përvetësuar demonstratat si vepër vetiake nuk ka qenë e vogël në disa qarqe, por asnjëherë te grupet e mirëfillta ilegale, të cilat i kanë mirëpritur ato me entuziazëm. Megjithatë, faktet mungojnë për çdo teori që do t‘i shpjegonte ato si një lëvizje e nxitur nga një qendër e vetme. Serbët, duke qenë se ishin të pakënaqur me statusin politik të Kosovës dhe me ndryshimet kulturore të mëdha mes shqiptarëve në gjithë hapësirën jugosllave, duke qenë se kishin nevojë për ndryshime e drejtimin që donin ata në politikën e Jugosllavisë ndaj shqiptarëve dhe ndaj popujve të tjerë në veriperëndim të vendit, menjëherë u paraqitën si frymëzues dhe organizatorë të demonstratave. E vërteta është se ata dhe mbështetësit e tyre, rusët, nuk kanë qenë kurrë në rolin e protagonistëve në këto ngjarje, serbët nuk i kanë dashur këto demonstrata kështu. Ata kanë qenë të interesuar për një pretekst ndëshkimi, por kurrësesi për një revoltë të tillë të gjithë shqiptarëve. Por, në anën tjetër, është e vërtetë se ata kanë regjistruar gjithçka përmes mekanizmve të shtetit që e kishin në dorë. Spiunë me siguri kanë pasur kudo, por kurrë nuk kanë qenë protagonistë të ngjarjeve të mëdha në Kosovë. UDB-ja ka bërë përpjekje për tjetërsimin e vullnetit politik të shqiptarëve, por ka dështuar në gjithë linjën. Këtë gjë sot në retrospektivë mund ta themi pa asnjë dyshim. Sidoqoftë, grupet ilegale e shfrytëzuan situatën revolucionare dhe në shumë raste këtyre ngjarjeve politike iu dhanë kahje në drejtim të konstituimit të Republikës së Kosovës. Kërkesa politike për Republikën e Kosovës përbën idenë gjeniale dhe mekanizmin e pashkatërrueshëm të kësaj Lëvizje Kombëtare, e cila nuk u ndalë deri në Luftën Çlirimtare dhe shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Në fillim ishte Lëvizja politike Kombëtare e shqiptarëve në gjithë hapësirën e ish Jugosllavisë, jo vetëm në Kosovë. Republika e Kosovës është një vepër e gjithë shqiptarëve në ish Jugosllavi, por atë e gëzojnë në plotësi vetëm shqiptarët e Kosovës. Ja, kjo është historia me tekat e saj. Sidoqoftë, shqiptarët kudo i gëzohen shtetit të Kosovës.
Të kthehemi te intervista e Mehmet Locit. Ka pasur disa reagime ndaj saj. Disa janë dëshpëruar me paraqitjen e tij të dobët politike. Maniret e policit politik nuk ishte vështirë t’i identifikoje në çdo fjalë të ish udbashit Loci. Haki Morina, njëri nga ish burgosurit politik të intervistuar që kishte thënë se është rrahur nga Loci gjatë intervistës postoi një tekst në llogarinë e tij të facebook-ut në kohën që emetohej intervista, mirëpo Loci nuk e lejoi gazetarin Panduri që ta bënte pjesë të intervistës dhe gazetari e pranoi kërkesën e tij ultimative. Haki Morina shkruante, ndër të tjera: “Nëse dikush ka pritur që ne të hakmerremi ndaj tyre, duke i rrahur në rrugë, se zyra s’kemi patur, dhe të përfundojmë atje ku ka përfunduar Hashim Thaçi me shokë, është diçka tjetër, veç nuk e besoj që do ta dëshironte asnjë njeri që e do atdheun që ne të shkojmë përsëri në burg për shkakun e UDB-ashëve.
Shteti ynë i Kosovës, dihet si u krijua. Pushtuesit serbë nuk u larguan, siç u larguan përshembull nga Kroacia, pa ndërhyrjen e jashtme. Dhe as liria nuk u administrua nga çlirimtarët, por me një kombinim të imponuar nga vullneti i shumicës për të mos bërë diferencimin rrënjësor prej mbetjeve jugosllave, e përkrahur plotësisht nga UNMIK, e cila krijoj institucionet duke rikthyer tërë mekanizmat politikë të kohës së komunizmit jugosllav.
Dhe ku të ankohesh? Të paditësh një institucion ish jugosllav, tek një inatitucion neojugsllav?“
Bedri islami, ndërkaq, konsideron se “Loci u mundua që të lansoj mjegull, duke provuar të konkludoj se të gjithë të burgosurit politikë janë përpunuar nga shërbimi i sigurimit shtetëror, për të lënë për tu nënkuptuar se të gjithë të burgosurit politikë që janë dënuar, qënkan thyer gjatë hetuesisë dhe se qënkan bërë bashkëpunëtor të UDB-së!“.
Mua personalisht më bëri një përshtypje të keqe mënyra sesi fliste për grupin e Ismajl Haradinajt. Sami Frashëri thotë se qymyri kur nuk të djegë, të nxinë. Pikërisht këtë parim me ngjante se e praktikonte Mehmet Loci në rastin e atdhetarëve të Deçanit. Akuzat e tij ishin paushalle dhe nuk thonin asgjë, por në nëntekst sulmonin nëndijen e shikuesit me shpifjet të ulëta. Më kujtohet një rast i ngjashëm me Martin Bormann-in, ish sekretarin personal të Hitlerit, i cili qe zhdukur në rrethana të paqarta. Një historian rus insistonte se Bormann-i kishte qene spiun i sovjetikëve dhe se rusët kishin qenë aq të aftë saqë kishin depërtuar edhe në strofkën e kundërshtarit të tyre. Historianët perëndimore e njohën menjëherë intrigën ruse dhe dolën me konstatimin se Martin Bormann ishte vrarë jo largë vendit ku ishte vetëvrarë Hitleri. Dëshmitë që sillnin ata ishin bindëse. Më vonë eshtrave të Bormann-it iu bë edhe analiza gjenetike që vërtetoi gjithë çka kishin thënë më parë ekspertët perëndimorë. Rusët e ndalën menjëherë lojën e tyre.
Menjëhetë pas intervistës pati dy reagime. Njeri ishte i Bajram Binaku që e përshkruante të intervistuarin në një pamje ku ai fliste pa pushim si atdhetar, “qekërkë“. Reagimi tjetër ishte ai i Fatmir Brajshorit-Tushit, në shtëpinë e të cilit në Prishtinë është mbajtur mbledhja për themelimin e UÇK-së. Fatmiri, nuk e ka pasur të kaluarën familjare siç e ka emrin, sepse ai rrjedhë nga një familje fatzezë të Prapashticës që në vitin 1921 iu nënshtrua një masakre të madhe ku u vranë të gjithë paraardhësit e tij familjarë që kishin qenë në shtëpi, me përjashtim të një bariu që kishte qenë jashtë me kafshët që i ruante. Për këtë masakër serbe në historiografinë tonë pothuajse nuk është shkruar. Në Kanada është botuar një libër që flet edhe për këtë ngjarje nga një plak refugjat i familjes Brajshori. Kanë kaluar mbi 100 vjet dhe sot nuk mund të takosh më asnjë dëshmitar autentik që do të fliste për këtë masakër serbe të popullsisë civile ku u vranë qindra shqiptarë. Pikërisht në një familje të njëri nga pasardhësit e tillë u mor vendimi më i rëndësishëm i Kosovës në shekullin XX, vendimi për themelimin e një force ushtarake shqiptare që do të luftonte për çlirimin e vendit nga pushtuesi serb. Fatmir Brajshori-Tushi ka shkruar një tekst të gjatë në llogarinë e tij të facebook-ut, por ne këtu po e marrin vetëm pjesën e tij të fundit: “Tashti edhe disa t‘burgosur politikë s‘i kam kuptuar. Nuk flisnin por thonin, “s‘ka nevojë tash me përmend emra!”Po kur udbashëve shqipfolës s‘ju ka ardhë turp të torturojn dhe madje dhe t‘i mbysin të burgosurit, në tortura, atëherë pse sot mos t‘u përmendet emri?
Pas lufte, në vend që të burgoseshin udbashët, kolaboracionistët dhe t‘u ndalohej veprimtaria publike gjithë bartësve të detyrave të ndryshme socio-politike të sistemit të mëhershëm jugosllavë, ata përkundrazi u shpërblyen dhe ua dhanë postet dhe detyrat e njëjta si më parë; gjykatësit që kishin punuar sipas ligjeve jugosllave pas lufte, në Kosovën e lirë u punësuan në gjykata; prokurorët e ish sistemit sërish prokuror; milicet e dikurshëm në policin e sotshme; udbashet e djeshëm në hetuesin e re të republikës së Kosovës! I bënë madje deputet, ministra, ambasador. Të burgosurit politikë i anatemuan! Çlirimtarët ca i vranë e shumicën i burgosën… Mehmet Locajt i shpërblyen-çlirimtarët i dënuan… UDB-a (tash BIA), formoj televizione, media private, portale!
Në këto media s‘kishte vend për çlirimtarët teksa për t‘burgosurit politikë Jo se jo!
Më shumë është ftuar në këto televizione Azem Vllasi për t‘folur se Ali Lajçi, Hydajet Hyseni me shokë…
A, Mehmet Loci ka qenë në shërbim të Azem Vllasit!
Deri sa Mehmet Loci mbështeste dhe mbrojtën njëri tjetrin, duke qëndruar të bashkuar, të burgosurit politikë të ndarë e shpërndarë, ku as shoqata e tyre s‘mund t‘i bashkon të gjithë…
Dhe e vërejtët mbrëmë?
Mehmet Loci për asnjë kolegë të vetin s‘foli keq dhe madje, i mbronte!
Ai mbrëmë të burgosurit politikë i vrau dhe i torturojë e burgosi sërish!
Kosova pas lufte s‘ka pas nevojë për ‚Sindromin e Stokholmit!‘ Kosova kishte nevojë për, “Procesin e Nyrembergut!”.