Rrënohen dy anekse të ndërtuara pa leje afër Gërmisë
Në vazhdën e angazhimit të inspektorëve komunalë të ndërtimit, për të pamundësuar zhvillimin e punëve pa leje në kryeqytet, të premten janë rrënuar edhe dy anekse të ndërtuara pa leje afër Gërmisë.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se vendimi për rrënimin e këtyre anekseve vjen si pasojë e mosrespektimit të urdhëresave të inspektorit, të lëshuara pasi ishte konstatuar se të dy anekset ishin ndërtuar në kundërshtim me lejen ndërtimore. “Inspektorët e Ndërtimit, janë të obliguar që të përcjellin zbatimin e lejeve të lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit. Ndërsa, tejkalimi i lejes ndërtimore përbënë shkelje ligjore dhe nënkupton ndërtim pa leje! Drejtoria e Inspeksionit në vazhdimësi ka njoftuar se për shkeljen e Ligjit të Ndërtimit më i dëmtuari mbetet vet investitori/ja. Ngase ndërtimet pa leje, dënohen dhe rrënohen. Dhe kjo vlen për të gjithë ndërtuesit pa leje, pa dallime”, ka njoftuar Komuna e Prishtinës.