Rreshteri policor dyshohet se kreu vrasjen e 35-vjeçarit në Suharekë
Në komunën e Suharekës të dielën kanë ndodhur dy vrasje dhe një plagosje.
Lajmin e ka konfirmuar në një konferencë për medie, drejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi.
Ai thënë se për rastin e parë bëhet fjalë për vrasjen e një 35-vjeçari me inicialet J. A nga fshati Mushtisht i Suharekës, i cili dyshohet të jetë vrarë nga rreshteri policor me inicialet Sh.S. “Diku në orën 9:47 minuta stacioni policor në Suharekë është informuar se në rrugën ‘Skënderbeu’…ndodhet në person i shtrirë në një lokal (kazino), i cili punon 24 orë. Pastaj me të marrë informatën stacioni policor, i është qasur menjëherë rastit bashkë me ekipin e emergjencës, ku kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe është kuptuar edhe nga mjekët e ekipit të emergjencës se bëhet fjalë për një person i cili është vrarë me armë zjarri”, ka thënë Krasniqi.
Më tutje, Krasniqi ka bërë me dije se me urdhër të prokurorit është arrestuar rreshteri policor, si dhe është konfiskuar një armë, pajisjet policore dhe disa telefona celularë.
Ndërsa për vrasjen e dytë, Krasniqi ka thënë se bëhet fjalë për gjuajtje me armë në mes të dy vëllezërve në fshatin Studenqan, ku ka mbetur i vdekur personi 54-vjeçar me inicialet I.B dhe është plagosur një grua. “Bëhet fjalë për vëllezër pas një konflikti të çështje pronësore”, është shprehur Krasniqi.
Ai ka thënë se të dy kufomat janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa gruaja e plagosur gjendet në spitalin e Prizrenit për trajtim mjekësor.
/Epoka e re/