Rreth 1 200 operacione u kryen në Torakale gjatë 2023-s, këto janë prioritetet e klinikës
1 198 intervenime kirurgjikale janë kryer në Klinikën e Kirurgjisë Torakale gjatë vitit 2023, e cila tash e sa kohë funksionon me vetëm një sallë operative. Kështu ka thënë për Ekonomia Online, drejtori i kësaj klinike, Nazmi Kolgeci.
Kolgeci ka thënë se punët që bëhen në këtë klinikë janë të mëdha, ndërsa ka ndarë sallën e madhe dhe të vogël.
Në sallën e madhe bëhen intervenime me anestezion të përgjithshëm, ndërsa në të voglën me atë lokal.
“Në pamundësi të gjithë pacientët me i fut në sallën e madhe, aty ku bëhet me anestezion të përgjithshëm, deri tash është 560 raste që janë kryer në sallën e madhe, ndërsa në sallën e vogël janë 201 rast i përfunduar dhe gjithashtu kemi pasur edhe drenazhi torakale që është edhe ai një intervenim kirurgjik afër 437 raste deri tash. Salla e madhe është aty ku bëhet intervenimi kirurgjik me anestezion të përgjithshëm, ndërsa salla e vogël janë ato raste kur janë operacionet që në pamundësi me i fut në sallën e madhe ne e bëjmë aty me anestezion lokal por edhe ky është intervenim kirurgjik”, ka thënë Kolgeci.
Krahas numrit të madh të operacioneve të kryera në 2023-ën, Torakalja ka edhe numër të madh të listës së pritjes.
E arsye për këtë është funksionimi me vetëm një sallë të operacioneve dhe janë të vetmit në tërë territorin e Kosovës.
“Viti paraprak ka qenë me numër goxha shumë të madhe të operacioneve por ky vit ka qenë edhe më i suksesshëm duke pasur parasysh që ka qenë një volum shumë i madh i pacientëve. Te klinika jonë edhe pse kemi pasur kaq numër të madh të operacioneve, është një numër i madh i pacientëve që presin në listën e pritjes. Arsye e pritjes është sepse ne e disponojmë vetëm një sallë të operacionit dhe jemi e vetmja klinikë në tërë Republikën e Kosovës. Sidomos kanceri i gjirit që ne i kemi kushtuar një vëmendje shumë të madhe nuk presin shumë në listë të pritjes. Një mesatare pritja për kancer të gjirit është rreth tre javë për ndërhyrje kirurgjike, ndërsa kjo periudhë është shumë më gjatë”, ka thënë Kolgeci.
E stabil qëndrojnë me numër të mjekëve por për shkak të komplikimit të operacionit, ndodh që brenda ditës të kryhet vetëm një operacion.
“Numri i mjekëve që i kemi në klinikën tonë është i mjaftueshëm për tërë Kosovën por diçka duhet të kihet parasysh se operacionet në klinikën tonë janë operacione që shpesh herë zgjasin dhe në disa raste një operacion e merr komplet ditën për arsye se është operacion që zgjat shumë. Ndërsa për raste kur kemi operacione që janë biopsia ose operacione më të vogla, atëherë mund të kemi mundësi të arrijmë katër deri në pesë operacione brenda ditës por megjithatë është e pamjaftueshme një sallë e operacionit për gjithë Kosovën”, u shpreh Kolgeci për EO.