Rreth 1 milion njerëz do ta presin Vitin e Ri në Times Square të Nju Jorkut
Sipas përllogaritjeve, natën e Vitit të Ri rreth 1 milion njerëz do të mbushin rrugët e sheshit Times në qytetin e Nju Jorkut për të parë uljen e topit të famshëm. Kjo është një traditë që i ka fillimet në vitin 1907, ndërsa vizitorë nga mbarë bota bashkohen për të numëruar sekondat e fundit të ndërrimit të viteve.
Në ditë të zakonshme, numri i madh i njerëzve është arsye e mjaftueshme për të shmangur sheshin Times në qytetin e Nju Jorkut. Për vendasit, mbrëmja e Vitit të Ri është ndoshta dita kryesore për të ndenjur larg tij.
“Është shumë kaotike”, thotë një grua. “Do të ketë shumë njerëz, por sigurisht që do ta ndjekim në televizor”, thotë një tjetër kalimtar, shkruan “Zëri i Amerikës”.
Në të ashtuquajturin “udhëkryqi i botës”, rreth 1 milion njerëz do të mbushin sheshin për të numëruar sekondat e fundit të 2019, që shënohet nga rënia e topit të famshëm.
Punonjësit po e bëjnë gati topin për momentin final. Robert Stults është teknik me kompaninë “Landmark Signs & Electrical”.