Rreth 10 mijë studentë protestojnë për përmirësim të kushteve të arsimit në Pakistan
Rreth 10 mijë studentë u mblodhën në kryeqytetin Islamabad të Pakistanit për të protestuar me kërkesën për përmirësimin e kushteve të arsimit, raporton Anadolu Agency (AA).
Protesta e organizuar nga Islami Jamiat-e-Talaba (IJT), krahu studentor i Partisë Jamaat-e-Islami, u zhvillua në hyrje të zonës së kuqe në të cilën ndodhen ndërtesa e parlamentit, ministritë dhe ambasadat.
Në protestë morën pjesë rreth 10 mijë studentë nga pothuajse çdo universitet i Pakistanit.
Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimet për “uljen e tarifave të shkollës” dhe me kërkesat për “drejtësi në arsim”.
Lideri i Partisë Jamaat-e-Islami, Siraj-ul Haq, në një fjalim para protestuesve kërkoi ngritjen e zërit nga studentët të cilët “nuk mund të arsimohen për shkak të gjendjes së tyre ekonomike”.
Haq theksoi se taksat në arsim duhet të anulohen dhe theksoi se boshllëku mes të pasurve dhe të varfërve rritet gjithnjë e më shumë.