Rreth 10 për qind e popullatës në Kosovë e prekur nga diabeti
Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Diabetit, në kryeqytet ka filluar të enjten fushata për sensibilizimin e popullatës rreth parandalimit dhe menaxhimit të diabetit.
Drejtori i Shëndetësisë së Komunës së Prishtinës, Izet Sadiku, ka thënë se mënyra më e mirë për mbrojtje nga diabeti është parandalimi, raporton EO.
“Drejtoria e Shëndetësisë në kryeqytet sikurse për sëmundje të tjera edhe në Ditën Botërore të diabetit po organizon një fushatë sensibilizuese, e cila do të zgjasë diku 10 ditë. Sot kemi filluar me vendosjen e rrethit të kaltër, e cila simbolizon ngjyrën e unifikimit rreth kësaj problematike dhe ngjyrën blu të qiellit. Pastaj kemi filluar me brendimin e autobusit të trafikut urban, i cili jep informata për qytetarët, kemi vendosur karvanin shëndetësor, i cili do të jetë i vendosur sot në shesh, pastaj do të jetë i vendosur në ‘Albi Mall’ të shtunën, si dhe do të jetë dhe të dielën në ‘Vila Gërmi; me qëllim që të takojë sa më shumë qytetarë dhe të sa më shumë informata, të matet diabeti”, ka thënë Sadiku.
Ai ka bërë me dije se kjo fushatë do të vazhdojë edhe javën tjetër me ligjërata për pacientët që janë me diabet.
“Do të mbahen pesë ligjërata në bashkëpunim me shoqatën e Endikrinologëve dhe Klinikën e Endikronologjisë. Javën e ardhshme do të fillojmë edhe ndërtimin e Qendrës Këshillimore për sëmundje kronike dhe diabet, e cila do të jetë këshillimorja e parë në kryeqytet për sëmundje kronike”, ka pohuar Sadiku, duke shtuar se ka shumë interesim nga ana e qytetarëve që ta matin diabetin.
Ai ka ftuar qytetarët që të bëjnë analiza për arsye se duke i bërë analizat, do të jetë e mundur të dihet gjendja dhe të diagnostifikohet sëmundja.