Rreth 100 milionë euro investime për energji të ripërtëritshme pritet të ndodhin në Vushtrri
Në prani të ambasadorit të Francës, Didier Chabert, në zyrën e kryetarit të komunës së Vushtrrisë sot është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit në mes të kësaj komune dhe ‘Çiçavica Wind Farm 1 L.L.C’ (projekt i kompanisë franceze Akou Energy).
Me këtë rast, kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se projekti Çiçavica Wind Farm ka për qëllim prodhimin e energjisë së ripërtëritshme nga era.
“Vlera e investimit është rreth 100 milionë euro. Nga ky projekt do të përfitoj komuna e Vushtrrisë por edhe e tërë Kosova. Projekti synon të prodhojë rreth 100 MË/h energji elektrike nga era ku në malin e Çiçavicës do të vendosen deri në 17 turbina për prodhim të energjisë nga era’, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas kryetarit, ky është një moment tepër i rëndësishëm për zhvillimin e Vushtrrisë dhe të Kosovës.
“Ne jemi të përkushtuar dhe të hapur për investitor të huaj që do të nxisin zhvillimin ekonomik të qytetit tonë, Ky do të jetë investimi më i madh privat në Vushtrri, ndërsa komuna mbetet e përkushtuar që në një proces transparent të mbështes investimin”, është shprehur Tahiri.
Ai ka treguar se në bazë të këtij memorandumi komuna e Vushtrrisë do të përfitojë të hyra direkte nga projekti që korrespondojnë në vlerën prej 1% të të ardhurave vjetore të projektit Çiçavica Wind Farm; bursa studimi në Francë, për studentët vushtrrias dhe studentët nga e gjithë Kosova në fushën e energjisë së ripërtëritshme, ku Ambasada Franceze në Prishtinë do të angazhohet dhe do të ndërmjetësojë për këtë qëllim; dhe subvencionim të Organizatave Joqeveritare lokale për të zhvilluar turizmin energjetik në Malin e Çiçavicës.
Kurse ambasadori i Francës në Kosovës Didier Chabert ka theksuar se kompania ‘Akou Energy’ është lidere në Evropë në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe ky memorandum sot tregon për seriozitetin e këtij investimi.
/Epoka e re/