Rreth 14 milionë persona ndoqën seancat publike për hetimet rreth Trumpit
Rreth 13.8 milionë persona në Shtetet e Bashkuara kanë shikuar transmetimin e drejtpërdrejtë të ditës së parë të seancave dëgjimore publike në hetimet e udhëhequra nga demokratët, për shkarkim të presidentit amerikan, Donald Trump.
Kompania “Nielsen”, ka thënë se 10 rrjete të ndryshme kanë transmetuar drejtpërdrejt seancën, në të cilën kanë dëshmuar diplomatët e lartë amerikanë, William Taylor dhe George Kent.
Megjithatë, kjo shifër ka qenë më e vogël në krahasim me 20.4 milionë persona që kanë shikuar nominimin e Brett Kavanaugh, në shtator të vitit 2018, i cili ka fituar pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Supreme, pavarësisht supozimeve për sjellje të keqe seksuale.
Ngjarje tjera të mëdha që kanë fituar vëmendjen e publikut kanë qenë edhe: dëshmia e ish-shefit të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), James Comey, që është shikuar nga 19.5 milionë persona dhe dëshmia e ish-avokatit të Trumpit, Michael Cohen (13.8 milionë shikues).
Dëshmia e ish-Këshilltarit Special, Robert Mueller, që është mbajtur në korrik të këtij viti është shikuar nga 12.9 milionë persona.
Kompania “Nielsen” po ashtu ka vlerësuar se 2.9 milionë persona kanë shikuar mbulimin i që ka bërë rrjeti Fox sencës së fundit publike.
Shumica e komentuesve në “Fox” kanë mbështetur presidentin, duke e cilësuar këtë ngjarje “mashtrim”.
Dita e dytë e seancave publike është planifikuar të mbahet më 15 nëntor, me ish-ambasadoren amerikane në Ukrainë, Marie Yovanovitch.