‘Rreth 150 mijë vetura të paregjistruara në Kosovë, humbjet vjetore janë milionëshe’
Deri pak para shpalljes së pandemisë së COVID-19, sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i automjeteve të pasiguruara në Kosovë ishte rreth 150 mijë.
Ndërsa, dëmet financiare të shkaktuara nga kompensimi për aksidentet për këto automjete që nga viti 2000 janë 44 milionë euro.
Kështu ka deklaruar për “Telegrafin”, drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, i cili ka shtuar se humbjet vjetore të kompanive të sigurimeve janë rreth 4 milionë euro nga mos inkasimi i primit dhe 4 milionë euro të tjera nga sigurimet.
“Deri para se të fillojë pandemia e COVID-19, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme në sistem figurojnë rreth 150 mijë vetura të paregjistruara. Por që nuk ka një analizë se sa prej tyre mund të janë në trafik. Natyra e këtyre automjeteve që dalin në trafik pa regjistrim i shkaktojnë dëme milionëshe sektorit të sigurimeve. Humbjet vjetore janë rreth 4 milionë euro nga mos inkasomi i primit nga këto vetura dhe nga ana e tjetër janë rreth 4 milionë euro që këto vetura i shkaktojnë nga sigurimi. Nga viti 2000 deri 2019, vetëm për automjetet e pasiguruara, sektori i sigurimeve ka paguar mbi 44 milionë euro”, ka thënë Mazreku.
Ai ka theksuar se duhet të gjinden mekanizma ligjor që ky numër i lartë i veturave të paregjistruara të reduktohet.
Më tutje, ai ka thënë se deri në vitin 2019 janë të regjistruara 356 mijë vetura, ku 30 për qind e veturave të paregjistruara përbëjnë vlerën e saj, ku sipas tij, kjo po sjell vështirësi në anëtarësim në Kartonin e Gjelbër.