Rreth 2 500 vende të reja të punës paralajmërohen nga ministri Mustafa
Në prani të kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministrit të Bujqësisë, Besian Mustafa, është bërë nënshkrimi i kontratave të para të përfituesve të Programit për Zhvillim Rural 2020-21 nga bujqit e Kosovës.
Hoti ka thënë se është bërë punë e madhe për t’i përkrahur ata edhe në kohën e krizës nga pandemia.
“E mira e kësaj është se pavarësisht situatës së vështirë nga pandemia, dëmin që na ka sjellë edhe në buxhetin e shtetit, bujqësia po e merr vëmendjen e plotë dhe mbështetjen e qeverisë duke subvencionuar bujqësinë”, ka thënë Hoti.
Ndërsa ministri Mustafa ka thënë se deri në fund të vitit 2021 do të krijohen edhe rreth 2 500 vende të reja të punës nga subvencionet që do të jepen nga Ministria e Bujqësisë.
“Falë punës sonë dhe krijimit të kushteve të barabarta për bujqit dhe rritjen e transparencës në ndarjen e këtyre granteve, kemi arritur të përfitojmë edhe 5 milionë euro nga BE-ja për t’iu ndarë grante bujqve tonë dhe për të mundësuar tejkalimin e Covid-19. Së shpejti do të shpallim edhe thirrjen e dytë për aplikim për grante dhe nga programi 2020-2021 presim që të rreth 850 përfitues të granteve në vlerë prej 29 milionë euro nga Ministria e Bujqësisë që do të krijojë rreth 2 500 vende të reja pune. E tëra kjo deri në dhjetor të vitit 2021”, është shprehur Mustafa.