Rreth 2 mijë persona nga Shqipëria, të strehuar vetëm në Prizren
Pas tërmetit, i cili ka goditur Shqipërinë më 26 nëntor, numri i personave të ardhur nga ky shtet dhe që kanë hyrë në territorin e Kosovës, ende nuk dihet saktësisht nga institucionet e Kosovës.
Autoritetet e Kosovës, menjëherë pas tërmetit, kanë dërguar në Shqipëri njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës dhe të Forcës së Sigurisë me mision kërkim-shpëtimi, ndërkohë që Qeveria e Kosovës kishte ndarë 500 mijë euro ndihma për Shqipërinë.
Organizime të ndryshme në Kosovë, fillimisht kishin ndërmarrë nisma për t’i ndihmuar banorët e zonave të prekura nga tërmeti në Shqipëri dhe njëkohësisht kanë marrë me vete në Kosovë një numër të caktuar qytetarësh të këtij vendi, për t’i strehuar në qytete të ndryshme të vendit.
Nehat Koçinaj, zyrtar për marrëdhënie me publikun nga Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshëm, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë natës ndërmjet të premtes dhe të shtunës, ka pasur një fluks të personave që kanë ardhur nga Shqipëria në Kosovë për t’u strehuar.
Sipas tij, në Kampin Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren, ku deri ditën e premte kanë qenë të akomoduar mbi 500 persona nga Shqipëria, janë strehuar edhe një numër shumë i vogël i personave, ndërkaq të tjerët janë sistemuar në sektorin privat.
“Tani për tani, në Prizren janë të sistemuar, të themi në sektorin publik dhe atë privat, rreth 2 mijë persona. në qytetet tjera, është një shifër e shpërputhur, sepse lëvizjet janë jo rrallë herë kontradiktore njëra me tjetrën. Çfarëdo shifre që të japim nuk mund të jetë as për afër e saktë. Kjo për faktin se përveç mënyrave të organizuara, ka edhe mënyra, t’iu themi, kaotike ose sporadike, që vijnë, shkojnë ose lajmërohen, e pastaj japin një informatë tjetër”, tha Koçinaj.
Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme edhe më herët kanë thënë se përmes pikave kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, deri tani nuk kanë ngritur ndonjë kontroll të veçantë evidentimi për të marrë informacione se ku shkojnë personat që hyjnë në Kosovë.
Ndërkaq, organizimet e ndryshme, menjëherë pas ditës së parë nga tërmeti, kanë vazhduar të sjellin në Kosovë qytetarë të zonave të prekura në Shqipëri. Atya fillimisht ishin sistemuar në disa hotele dhe më pas janë shpërndarë nëpër shtëpi private të qytetarëve të Kosovës, në komuna të ndryshme, të cilët vullnetarisht i kanë pritur ata.
Megjithatë, Koçinaj thotë se tashmë autoritetet e Kosovës janë duke punuar për të evidentuar sistematizimin e të gjithë atyre shtetasve të Shqipërisë që janë strehuar në Kosovë.
“Të gjitha këto informata ose grupe, të cilat vijnë, në çfarëdo mënyre që ato sillen këtu, janë në sistematizim e sipër. Por, koordinimi është duke u bërë në vazhdimësi me Policinë e Kosovës, me pikat hyrëse në Kosovë, që t’i marrin të dhënat. Një krahasim sa për evidencë, gjatë mbrëmjes së kaluar, rreth 12 mijë persona kanë hyrë në pikën kufitare në Vërmicë. Do të thotë se ta 12 mijë persona nuk kanë pasur për cak sistematizimin e tyre afatshkurta apo afatmesëm në Kosovë, por kanë qenë edhe turistë të rastit”, tha Koçinaj./REL