Rreth 200 persona të zhdukur pas shpërthimit të vullkanit në Guatemalë
Të paktën 192 persona janë zhdukur derisa 77 të tjerë janë të vdekur si pasojë e shpërthimit të Vullkanit Fuego në Guatemalë, kanë njoftuar zyrtarët e këtij vendi.
Fshatrat në zona më të larta të malit janë djegur nga hiri vullkanik dhe llava.
Ekipeve të shpëtimit u është ndalur procesi i punës, pasi të martën vullkani ka shpërthyer sërish duke nxjerr gaz të nxehtë.
Më shumë se 1.7 milion persona janë prekur nga shpërthimi i vullkanit që ka nisur ditën e diel, derisa më shumë se 3 000 persona janë evakuuar, raporton “Rel”.
Shpërthimi i së martës ka qenë i befasishëm pasi ekspertë për vullkane, kanë thënë se Fuego është në përfundim e sipër të aktivitetit të tij.
Udhëheqësi i Institutit Kombëtar për Sizmiologji, Edyy Sanchez, ka parashikuar se “nuk do të ketë shpërthim në ditët në vijim”.