Rreth 200 pjesëtarë të komuniteteve joshqiptare kanë aplikuar për ushtarë të Kosovës
Konkursi i Ministrisë së Mbrojtjes për pranimin e rekrutëve të rinj, ushtarë aktivë të Forcës së Sigurisë së Kosovës është mbyllur.
Në këtë konkurs pritet të pranohen 650 rekrutë të rinj, ndërsa kanë aplikuar mbi 5 000 veta.
Vëllazërim Qerimi nga Zyra e Informimit publik në Komandën e Forcave Tokësore të Kosovës ka thënë për “Ekonomia Online” ka thënë se nga të dhënat e datës 21 shkurt numri i aplikantëve ka shkuar në 5 000.
Qerimi ka theksuar se nga ky konkurs do të pranohen 650 pjesëtarë të cilët do t’i shërbejnë Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ndërkaq kryeministri Ramush Haradinaj përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka bërë me dije se rreth 200 pjesëtarë të komuniteteve joshqiptare, prej tyre rreth 40 serbë, kanë aplikuar për ushtarë të Kosovës.
Ai ka thënë se kjo është shenjë e qartë për integrimin dhe mirëbesimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës. “Vullneti i bashkëqytetarëve serbë, që të integrohen në të gjitha strukturat e Kosovës së 17 shkurtit dëshmon se shantazhit dhe instrumentalizimit të tyre nga Beogradi po i vjen fundi”, ka thënë Haradinaj.