Rreth 23 mijë persona të angazhuar në zgjedhje, KQZ-ja nis pagesat ndaj tyre
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë me dije se numri i anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit teknik që janë angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit, ka qenë rreth 23 mijë persona.
Në këtë kontekst, Elezi ka treguar se deri më tani janë dërguar në Ministrinë e Financave listat për pagesë për personat e angazhuar në 22 komuna: Deçan, Gjakovë, Drenas, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë, Lipjan, Obiliq, Pejë, Skenderaj, Suharekë, Vushtrri, Zubin Potok, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranilluk, Partesh dhe Kllokot.
“Mund të ndodhë që ndonjë personi të mos i transferohen mjetet për shkak të gabimeve në shënimin e numrit të llogarisë apo edhe për shkak se llogaria mund të mos jetë aktive. Këto raste duhet të bëjnë përmirësimet e nevojshme tek Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në komunën përkatëse ku kanë qenë të angazhuar dhe do të ridërgohen për transferim të mjeteve që u takojnë. Numri i anëtarëve të këshillave të vendvotimit dhe stafit teknik që janë angazhuar në zgjedhjet e 6 tetorit është rreth 23 mijë persona”, ka thënë Elezi.