Rreth 27 mijë euro ndahen për Komision Hetimor për rezervat shtetërore
Komisioni Hetimor Parlamentar në lidhje me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla ka diskutuar në mbledhjen e sotme për shpenzimet dhe buxhetin e këtij komisioni.
Buxheti i propozuar fillimisht në vlerë prej rreth 30 mijë eurosh, pas kërkesës së deputetëve të Vetëvendosjes është ulur.
Pas kësaj ankese, anëtarët e komisionit e kanë votuar buxhetin në vlerë prej 26 950 euro.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Hyseni, ka thënë se buxheti prej rreth 30 mijë euro që është propozuar për komisionin hetimor është i lartë.
Ndërsa deputetja e LDK-së Valentina Bunjaku u ka kërkuar deputetëve të Vetëvendosjes të mos bëhen “shumë të arsyeshëm”. Ajo ka thënë se mjetet do t’i kthehen Kuvendit nëse nuk shpenzohen.
Në anën tjetër deputetja tjetër e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se në buxhet përfshihen edhe kompensimet për ekspertë, raporton “EO”.
“Nuk di si mund t’i reduktojmë sepse janë ekspertiza të shtrenjta. Nëse ka mbetur te bufeja, hiç s’ka problem. Kafet i blejmë vetë”, ka thënë ajo.
Kurse, kryesuesi i këtij komisionit dhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se tabelën e buxhetit e ka bërë administrata.