Rreth 3 mijë 500 pllaka përkujtimore do të vendosen nëpër “shtëpitë-shkolla”

07 mars 2022 | 17:15

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, ka marrë pjesë në zbulimin e pllakës “Shtëpi-Shkollë”, në shtëpinë e familjes së Ibrahim Gashit, si dhe ka vizituar Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Elena Gjika”, shkollën më të vjetër në Kryeqytet.

Gjatë zbulimit të pllakës, kryeministri Kurti i shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka shprehur mirënjohje dhe falënderim të veçantë për familjen Gashi, për kontributin dhënë arsimit në Kosovë.

Duke e cilësuar Ditën e Mësuesit, 7 Marsin si një profesion të shenjtë për gjithë shqiptarët, por edhe popujt e tjerë, kryeministri Kurti ka thënë se Ibrahim Gashi si rrallë kush, ka dhënë kontribut për arsimin e viteve të ’90-ta.

Ai ka kujtuar se Gashi ka ndërruar jetë një vit para shpalljes së pavarësisë, ndërsa sipas tij tërë jetën e ka pas për liri, pavarësi e për bashkim.

“Prandaj, ky moment është shumë i veçantë jo veç për familjen e juaj por për të gjithë neve, për të gjithë neve që e kemi njohur, ndërkohë, që të gjithë edhe ata që s’e kanë njohur i gëzojnë sot frytet e kontributit të tij. Prindërit i patëm për shtëpitë shkolla, e fëmijët në shkolla ndjehen si në shtëpi sidomos te në që kemi qenë shumë gjatë nën okupim”,  ka thënë kryeministri Kurti.

Në kuadër të aktiviteteve për 7 Marsin, kryeministri Kurti e ka vazhduar vizitën e tij edhe në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Elena Gjika”, me ç’rast është shprehur i nderuar të ishte i pranishëm në këtë shkollë, në këtë ditë shumë të veçantë.

“Arsimi, shkolla, është vendi ku fëmija për herë të parë e takon shtetin dhe nëse nëna është mësuesja e parë, mësuesja është nëna e dytë”, tha kryeministri Kurti.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për t’iu dhënë mbështetje mësimdhënësve që t’i kenë kushtet e dinjitetshme të punës e gjithashtu edhe kompensimin e merituar, por në të njëjtën kohë edhe nxënësit nga gjenerata në gjeneratë të jenë më të mirë.

“Pra, progresi tek nxënësit, që është dëshmi e punës së mësimdhënësve dhe përkushtimit të shtetit, është dëshmia më e qartë, më e saktë për atë që na pret në të ardhmen”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti ka bërë me dije se rreth 3 mijë 500 pllaka përkujtimore do të vendosen nëpër “shtëpitë-shkolla”.

Objekti i shkollës “Elena Gjika”, është ndërtuar në vitin 1927 dhe është objekt i mbrojtur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, ka marrë pjesë të hënën…