Rreth 3 milionë euro të shpenzuara nga komunat për vendime të gjykatave

28 tetor 2020 | 16:52

Lëvizja FOL me mbështetjen e Friedrich Ebert Stifuting (FES) ka mbajtur diskutimin online me ç’rast ka publikuar raportin “Shpenzimet e komunave për vendime të gjykatave janar-gusht 2020”.

Ky raport përfshinë gjetjet nga monitorimi i pagesave të ekzekutuara nga Komunat e Republikës së Kosovës si rezultat i vendimeve të gjykatave për periudhën janar-gusht 2020.

Qëllimi i këtij raporti është informimi i publikut për shkallën e shpenzimeve që komunat i kanë paguar për vendime të gjykatave, përkatësisht se sa për qind të buxhetit të komunave për vitin 2020 janë destinuar për pagesat e këtyre vendimeve.

Albana Hasani, nga Lëvizja FOL, tha se komunat e Republikës së Kosovës kanë vazhduar të ekzekutojnë pagesa të larta për vendime të gjykatave edhe gjatë periudhës janar-gusht 2020, përkundër faktit se gjatë kësaj periudhe gjykatat u obliguan të punojnë vetëm për raste të natyrës urgjente, në rrethin e të cilave këto lëndë nuk ishin të përfshira.

“Gjatë periudhës janar-gusht 2020, Komunat e Republikës së Kosovës për vendime të gjykatave kanë shpenzuar rreth 3 milionë euro, apo 8,47 për qind të buxhetit fillestar të paraparë për të gjitha Komunat e Republikës së Kosovës”, ka thënë Hasani. Sipas saj, kjo ulje e theksuar e pagesave të këtyre vendimeve në krahasim me vitet paraprake ka ardhur si rrjedhojë e situatës së krijuar nga përhapja e pandemisë Covid-19 gjatë muajit mars të këtij viti, ku gjykatat kanë punuar vetëm për raste të natyrës urgjente për katër muaj me radhë (rastet e dhunës në familje, rastet me paraburgim dhe rastet për të mitur etj.), prandaj procedimi me lëndë të tilla të komunave, si lëndë të natyrës civile, ka qenë i pamundur gjatë asaj periudhe.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Marrëveshjet për Eliminimin e Tatimit të Dyfishtë (METD) në të…