Rreth 30 gra nga Kamenica bëjnë ekzaminimin në mamografin mobil
Me rastin e shënimit të muajit tetor, i cili njihet si muaj i ndërgjegjësimit në luftën kundër kancerit të gjirit, drejtoresha e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Suna Zajmi-Krasniqi, ka marrë iniciativë që disa grave nga Komuna e Kamenicës t’u bëhet ekzaminimi në mamografin mobil.
Kjo iniciativë e saj është bërë e mundshme falë bashkëpunimit me drejtorin e Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, drejtoreshën e QKMF-së në kryeqytet Sadete Hadri dhe radiologut Avdi Sopi.
Sipas drejtoreshës Zajmi-Krasniqi, është jashtëzakonisht e rëndësishme që grave nga komuna e Kamenicës t’u mundësohet ekzaminimi.
“Këtë vit kemi mundësuar ekzaminimin e rreth 30 grave nga Kamenica dhe shpresoj që viteve të tjera ta rrisim numrin e tyre. Jam jashtëzakonisht e kënaqur që në bashkëpunim me Drejtorinë e Shëndetësisë në Prishtinë bëmë të mundur që kjo iniciativë të jetësohet”, ka thënë ajo.
Ndërsa kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka inkurajuar të gjitha gratë të bëjnë vizita mjekësore për parandalimin e kësaj sëmundjeje.
“Ju gra pavarësisht se kush jeni e nga vini, kontrollohuni dhe parandalojeni këtë sëmundje e cila më të lehtë e ka parandalimin sesa trajtimin”, ka thënë Kastrati.
/Epoka e re/