Rreth 30 mijë persona e kanë braktisur Kosovën në vitin 2018
Kosova po boshatiset nga viti në vit. Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2018, nga Kosova janë larguar rreth 30 mijë persona.
Arsyet kryesore që i kanë shtyrë ata ta marrin rrugën jashtë vendit po del të jenë bashkimi familjar, gjetja e një vendi pune dhe studimet.
Numri i kosovarëve që po e braktisin Kosovën nuk ka shënuar rënie. Madje, krahasuar me vitin 2017 pothuajse është trefishuar.
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të përmbledhura në raportin “Vlerësimi i popullsisë 2018”, rreth 30 mijë persona e kanë braktisur vendin gjatë vitit 2018.
“Numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2018 është vlerësuar të jetë gjithsej 28 164 banorë, përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë”, ka thënë raporti i ASK-së.
Në raport është theksuar se pjesa më e madhe e atyre që janë larguar nga Kosova për vitin 2018 ishin emigrantë legalë, derisa arsyet kryesore të largimit ishin bashkimi familjar dhe punësimi.
“Emigrimi legal ishte për shkak të: bashkimit familjar, martesave, gjetja e një vendi pune, shpërngulje të përhershme (kryesisht në shtete fqinje), studime afatgjata me punësim etj. Po ashtu, gjatë vitit 2018 një numër emigruan duke kërkuar azil (aplikuesit për herë të parë) në vendet e BE-së, përfshirë vendet e Asociacionit të Tregtisë së Lirë të Evropës (EFTA)”, është thënë në raportin ASK-së.
Sipas ASK-së, përveç vendeve të BE-së dhe EFTA-s, një numër i kosovarëve kanë emigruar edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Turqi.
Por, përveç kosovarëve që lanë Kosovën e shkuan për të jetuar në vende të huaja, të tjerë kanë ndërruar edhe qytetet ku banonin. Rreth 9 mijë kosovarë lëvizin prej një komune në tjetrën gjatë 2018-ës, shkaku i martesave.