Rreth 30 për qind e shpenzimeve buxhetore shkojnë për paga

07 shkurt 2022 | 15:33

Në kuadër të sezonit auditues 2021/2022, Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) është duke e kryer auditimin e teknologjisë së informacionit për “Sistemin për menaxhimin e pagave” në Thesarin e Kosovës. Sipas ZKA-së, ky sistem ka rol kyç në menaxhimin e pagave për të gjithë të punësuarit në sektorin publik në Republikën e Kosovës. “Rreth 30 për qind e shpenzimeve të përgjithshme buxhetore të Republikës së Kosovës shkojnë për paga”, ka njoftuar ZKA.

Sipas këtij njoftimi, procesit të këtij auditimi do t’i nënshtrohet Thesari i Kosovës i cili funksionin në kuadër të Ministrisë se Financave, Punës dhe Transfereve.  “Fokusi kryesor do të jetë në Divizionin e Menaxhimit të Pagave i cili është përgjegjës për menaxhimin dhe mirëmbajtjen e sistemit elektronik për Menaxhimin e Pagave si dhe departamente tjera të ndërlidhura me procesin e pagave.  Objektiv i këtij auditimi është të vlerësohet nëse ekziston një mjedis efektiv i kontrollit që siguron se Sistemi për Menaxhimin e Pagave mbështet procesin e pagave, si dhe ofron të dhëna të sakta, të besueshme, të tërësishme dhe në kohë. Duke marrë parasysh rendësin e këtij sistemi dhe menaxhimin efektiv të procesit të pagave, është e nevojshme që Thesari të ketë të vendosura strukturat, proceset dhe mekanizmat e nevojshëm që sigurojnë se Sistemi për Menaxhimin e Pagave (Payroll) mbështet procesin e pagave, si dhe ofron të dhëna të sakta, të besueshme, të tërësishme dhe në kohë”, ka njoftuar ZKA-ja.

Ndërlidhur me këtë dhe bazuar në hulumtimet paraprake fushat të cilat do të trajtohen në këtë auditim, janë: Qeverisja e TI-së që sigurojnë nëse institucioni ka vendosur strukturat, proceset dhe ka identifikuar nevojat për funksionimin e sistemit;  Operacionet e TI-së që sigurojnë se janë vendosur politikat e menaxhimit të ndryshimeve dhe ekziston struktura e nevojshme për vazhdimësisë të sistemit; dhe Kontrollet e aplikacioneve që sigurojnë se sistemi pranon të dhëna të sakta, të besueshme, të tërësishme dhe në kohë. “Përmes auditimit të ‘Sistemit për Menaxhimin e Pagave’ Zyra Kombëtare e Auditimit synon që të ofrojë rekomandime relevante për Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, respektivisht Thesarin e Kosovës dhe përdoruesit e tjerë të sistemit në mënyrë që të përmirësohet qasja e tyre në raport me menaxhimin, zbatimin dhe efikasitetin e këtij sistemi, si dhe ofrimin e informatave të sakta, të besueshme, të tërësishme dhe në kohën e duhur”, ka njoftuar ZKA-ja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ulber Ferati ka rrëfyer historinë e pabesueshme të jetës së…