Rreth 300 mijë ukrainas ‘janë pajisur me pasaporta ruse’
Rreth 300 mijë ukrainas janë pajisur me pasaporta ruse prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, sipas medies së pavarur ruse, “Mediazona”.
Sipas këtij mediumi rreth 80 mijë personave u është dhënë shtetësia ruse vetëm në muajin tetor, sipas mediumit, i cili konsiderohet si kritik i Kremlinit.
“Mediazona” ka thënë se raportimin e ka bazuar në të dhënat e Ministrisë së Brendshme në Moskë.
Shumica e aplikuesve kanë marrë pasaportë në rajonin rus Rostov-on-Don dhe në Gadishullin ukrainas të Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar më 2014.
Vala e aplikimeve është rezultat i faktit se qytetarëve u janë hequr të drejtat bazike nëse nuk kanë pasur pasaporta të Rusisë në territoret e pushtuara nga forcat ruse, ka raportuar “Mediazona”.
“Ata shpesh nuk marrin trajtim shëndetësor apo mbështetje sociale pa pasaportë ruse”, është thënë në raportim, raporton “DPA”.
Miliona njerëz janë detyruar të largohen nga Ukraina, pas shpërthimit të luftës në fund të muajit shkurt.
Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 8 milionë ukrainas janë detyruar që të ikin në shtetet tjera evropiane.
Sipas vlerësimeve ruse, rreth 4.5 milionë refugjatë ukrainas kanë hyrë në tokën ruse deri më tani.
Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën në Ukrainë, si “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.