Rreth 300 persona kërkohen nga Policia e Kosovës
Qindra persona janë në kërkim nga Policia e Kosovës për vepra të ndryshme, duke filluar nga rastet e vjedhjeve e deri te personat e dyshuar për vepra që ndërlidhen me terrorizëm.
Aktualisht janë 288 persona në kërkim nga Policia e Kosovës, ka treguar për “Radion Evropa e Lirë”, drejtori i Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fushën e Zbatimit të Ligjit (ILECU), Veton Elshani.
Sipas tij, vetëm këtë muaj policia ka arrestuar 3 persona, të dyshuar për grabitje, vrasje dhe vepra që ndërlidhen me terrorizëm.
Megjithatë në zyrën për media të Policisë së Kosovës, nuk kanë dhënë shumë detaje për numrin e personave që janë në kërkim dhe për veprat që ata dyshohet se i kanë kryer.
Po ashtu, nuk është sqaruar as në lidhje me dyshimet se në cilat vende, shtete fshihen këta persona, sipas informatave që posedojnë organet e rendit.
Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se kanë bashkëpunim të mirë edhe me vendet e tjera, për realizimin e urdhër-arresteve për persona të kërkuar.
“Policia e Kosovës përmes një bashkëpunimi ndërinstitucional realizon urdhër-arrestet për persona të kërkuar, qoftë në nivel vendi apo edhe realizime të urdhër-arresteve për persona të tjerë, që kërkohen nga autoritetet e vendeve tjera”, ka thënë Hoxha.
Për Plator Avdiun nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), ky numër i madh i personave në kërkim, paraqet problem për Policinë e Kosovës, kur dihet që Kosova ende nuk është pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (Interpol).
“Për Policinë e Kosovës kjo ka me qenë shumë problematike, duke marrë parasysh që nuk ka bashkëpunim ndërkombëtar policor me Interpol-in, por edhe me vendet tjera, për shkak se Policia e Kosovës është e hendikepuar, për shkak se nuk ka qasje në data-bazën e sistemit të Interpol-it, edhe kjo i shkakton probleme të mëdha”, ka deklaruar Avdiu.
Sipas tij, i vetmi sukses i Policisë së Kosovës, në rrafshin ndërkombëtar, është bashkëpunimi që ka me Agjencinë evropiane të Policisë (Europol).
“Kjo i ka mundësuar Policisë së Kosovës që pjesërisht të ketë suksese në disa prej rasteve, qoftë në arrestimin e personave të dyshuar për terrorizëm, ose grupeve të ndryshme të trafikut të emigrantëve, ku fatmirësisht Policia e Kosovës ka qenë pjesë e disa aksioneve të Europol-it”, është shprehur Avdiu.
Në uebfaqen zyrtare të Policisë së Kosovës figurojnë fotot e të kërkuarve, e që shumë prej tyre qëndrojnë aty prej vitesh.
Në listën e të kërkuarve publik janë: Radomir Kasaloviq, Dushan Jovanoviq, Ratomir Bozhoviq, Branisllav Rakiq, Petrit Salihu, Korab Zogjani, Agron Kryeziu, Ilir Abdullahu, etj.
Disa persona që ende mbeten të pa identifikuar, por që shihen në fotografitë e publikuara nga policia, vazhdojnë të kërkohen si të dyshuar se kanë të bëjnë me rastin e revistës Kosovo 2.0, ku u pengua promovimi i kësaj të fundit, ngjarje kjo që ndodhi më 14 dhjetor 2012 te Salla e Kuqe, Pallati i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Më 20 nëntor të vitit të kaluar, Kosova nuk kishte arritur të bëhet vend anëtar i Interpol-it, derisa këtë vit ka aplikuar sërish që të anëtarësohet në këtë organizatë të rëndësishme.