Rreth 35 për qind pritet të ketë rritje në qarkullim pas ardhjes së mërgimtarëve
Ardhja e mërgimtarëve në sezonin e verës, pritet të ndikojë në ekonominë e Kosovës.
Por, se si do të jetë sezona e kësaj vere, dhe cilat janë planet e gastronomeve dhe si pritet të jenë çmimet, flet për Arbresh.info, Arian Vrainca nga Shoqata e Gastronomeve të Kosovës.
Ai thotë se 35 për qind pritet të ketë rritje në qarkullim gjatë sezonës së verës.
“Rreth 35 për qind pritet të ketë rritje në qarkullim mesatarisht gjatë sezonës së verës”, tha ai.
Vrainca nuk e përjashton mundësinë e lëvizjes së çmimeve.
“Si dihet saktë, mirëpo çmimet zakonisht rriten në klubet e natës, përndryshe vetëm se shtohet qarkullimi për diku 35% mesatarisht në përgjithësi”, tha ai.
Ai thotë se nga ardhja e diasporës, mund të ndikojë që të rritet konkurrenca mes bizneseve, dhe mund të ketë lëvizje të çmimeve, që zakonisht më shumë në klubet e natës.
Sipas tij, sezona e verës do të karakterizohet me shumë manifestime e aktivitete, duke filluar prej datës 10 korrik deri më 10 tetor.
“Duhet ta përmendim që sivjet do të jetë më e varfër se e vitit të kaluar në të cilin e kishim Manifesten dhe Sunny Hill, por do të vazhdojnë të organizohen tëgjitha organizimet e tjera siç janë bërë edhe në tëkaluarën”, thotë Vranica.
Kaçaniku: Kundërshtojmë çdo ngritje të çmimit të paarsyeshëm
Kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, Selatin Kaçaniku thotë se kundërshtojnë çdo ngritje të çmimit të pa arsyeshëm.
“Ne kemi kundërshtuar dhe do të kundërshtojmë çdo ngritje të pa arsyeshme, çdo marrëveshje ose trukimçmimi, në veçanti ngritjen e pa arsyeshme të çmimeve”, thotë ai.
Sipas tij, ngritja e çmimeve po i prishë raportet dhe standardet tradicionale ekonomike, çmimet po ndikojnë negativisht mbi tregun vendor.
“Këto ngritje të çmimeve më së shumti po e pësojnë familja konsumatore, 30%-shi i qytetarit, familjes konsumatore që jetonin në varfëri prej të cilës një e treta jetonin në varfëri të skajshme, tanimë kanë falimentuar. Falimentimi po e rrezikon edhe shtresën e radhës. Nëse do të vazhdojë të bie aftësia blerëse e qytetarit dhe e familjes konsumatore do të ketë edhe falimentime biznesesh, thotë Kaçaniku për Arbresh.info
Berisha: Nuk besoj se do të ketë ngritje të çmimeve
Rreth rritjes se çmimeve, ka folur edhe ekonomisti Burim Berisha, ai beson se nuk do të ketë ngritje të çmimeve, e duke e ditur se kjo sezonë është e dasmave, ai thotë se shumë dasma e ahengje të ndryshme familjare nuk do të realizohen.
“Çmimet e gastronomeve këtë vit në bazë të gjendjes politike nuk besoj që do të ngritën. Se nëse do të jetë kjo gjendje politike me pjesën veriore, shumë dasma e ahengje nuk do të realizohen”, tha Berisha.
Ai thotë se ky është viti i dytë radhazi që ka probleme politike në veri.
“Vetëm nëse do të përmirësohet situata politike, për shkakun se do të ketë më pak aktivitet të ahengjeve mund të vije një rritje e çmimeve. Se ky është viti i dytë radhazi që në sezonen e dasmave dhe ahengjeve ne kemi probleme politike me veriun, vjet ishte në korrik tani e kemi në qershor, që po shihet që nuk do të ketë çtensionim të situatës në veri”, shprehet ai.
Dihet që rritja e çmimeve në gjithë botën ka filluar nga lufta në Ukrainë, që nisi më 24 shkurt, kjo gjë ka trazuar ekonominë globale, me theks të veçantë atë të Evropës dhe ka pasur ndikim jo direkt edhe në Kosovë.
Tani për tani në Kosovë me çmime të larta janë pothuajse të gjitha produktet, sidomos te ato ushqimore.
Për dallim nga ato ushqimoret, një rënie është vërejtur te karburantet./Arbresh.info/