Rreth 403 qytetarë të Kosovës u bashkuan me grupe të ndryshme luftarake në Siri dhe Irak
Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), me mbështetjen e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI) ka publikuar sot raportin hulumtues në lidhje me qasjet e Qeverisë së Kosovës për të mbështetur riintegrimin e të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak.
Gjetjet e raportit që u publikua sot tregojnë se Kosova është ndër vendet e rralla që ka qenë e gatshme të riatdhesojë qytetarët e saj nga Siria dhe Iraku. Raporti tregon gjithashtu se ndërsa qeveria ka krijuar mekanizmat e nevojshëm institucional për të koordinuar dhe menaxhuar riintegrimin e të kthyerve, ekziston një mungesë e politikës koherente dhe ka sfida të rëndësishme në lidhje me koordinimin, si dhe përfshirjen e shoqërisë civile në proces.
Në hapje të konferencës me rastin e publikimit të raportit, Teuta Avdimetaj nga QKSS-ja, ka thënë se vlerësohet se rreth 403 kosovar u bashkuan me grupe të ndryshme luftarake në Siri dhe Irak.
Avdimetaj ka thënë e rënia e organizatës terroriste famëkeqe ISIS ka krijuar një situatë të re për shumë vende evropiane, përfshirë Kosovën, se çfarë të bëjnë me qytetarët e tyre që mbeten në Siri dhe Irak, raporton “Epoka e re”.
Prandaj, sipas saj, Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë me mbështetjen e Institutit Ndërkombëtar Republikan, bëri hulumtime pikërisht në këtë temë.
Qëllimi kryesor i raportit që është publikuar sot, është të analizoj se si qeveria dhe aktorët e tjerë janë përgjigjur në çështjen e riatdhesimit të kosovarëve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak, si dhe se si u mbështet riintegrimi i tyre në shoqëri .
Skënder Perteshi, hulumtues në QKSS, dhe njëri nga autorët e raportit, ka pohuar se në lidhje me mbështetjen e riintegrimit të të kthyerve, gjetjet e raportit përfshijnë dy qasje të përgjithshme. Ka masa ndëshkuese-restauruese dhe mbështetje të riintegrimit shoqëror.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka krijuar programe të veçanta për të mbështetur rehabilitimin dhe deradikalizimin e atyre të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak që janë në burg. Këto përfshijnë kurse të zhvillimit të aftësive për të rritur shanset e tyre të punësimit pas lirimit, trajnime të tjera të ndryshme, si dhe ligjërata fetare nga imamët e siguruar nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Mirëpo, sipas Perteshit për sa i përket suksesit të përpjekjeve për rehabilitim dhe deradikalizim në shërbimin korrektues, gjetjet e raportit nuk janë shumë pozitive. Sipas vetë zyrtarëve të Shërbimit Korrektues, ndërsa ka përparim, një pjesë e rëndësishme e të kthyerve mbeten besnikë ndaj të ashtuquajturës ‘Shtet Islamik’ dhe ideologjive ekstremiste.
Në lidhje me mbështetjen e riintegrimit shoqërorë, Qeveria ka krijuar një divizion të specializuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të menaxhuar dhe koordinuar mbështetjen për riintegrimin e të kthyerve nga zonat e luftës në Siri dhe Irak.
Përderisa, qasja e qeverisë ka qenë pozitive, Perteshi argumenton se ka mungesë të një politike koherente si dhe ka sfida me koordinim.
Raporti i publikuar sot përmban disa rekomandime:
- Qeveria të kryejë një shqyrtim gjithëpërfshirës të politikave dhe institucioneve që koordinojnë dhe zbatojnë aktivitete që synojnë mbështetjen e riintegrimit të të kthyerve nga zonat e luftës;
- Qeveria të miratojë një koncept-dokument se si të riorganizohet mekanizmi ekzistues institucional që merret me deradikalizimin dhe riintegrimin, si dhe të krijohet një politikë koherente qeveritare mbi riintegrimin social dhe ekonomik të të kthyerve; si dhe
- Ministria e Punëve të Brendshme duhet të krijojë Grupin Këshillues të Shoqërisë Civile për Riintegrimin, në mënyrë që të përfshihet OJQ-të në përpjekjet e riintegrimit përmes partneritetit me institucionet qeveritare.