Rreth 7 mijë vizitorë për katër muaj vizituan Parkun Arkeologjik “Ulpiana”

09 maj 2018 | 15:03

Në kuadër të aktiviteteve të Ditës së Evropës, 9 maj dhe Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore, në Zyrën e BE-së në Kosovë është organizuar konferenca “Trashëgimia Kulturore në Kosovë – Parku Arkeologjik i Ulpianës”, bashkëpunim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ambasadës së Francës në Kosovë.

Në emër të MKRS-së, në konferencë ka folur zëvendësministrja e MKRS-së, Burbuqe Bakija-Deva, e cila ka shprehur edhe kënaqësinë që në kuadër të programit për shënimin e Ditës së Evropës në Kosovë flitet edhe për trashëgiminë kulturore të Kosovës.

Duke folur për shënimin e kësaj dite, zëvendësministrja Bakija-Deva ka thënë se ashtu si në vendet tjera, edhe Kosova promovon paqen dhe unitetin, kësaj radhe edhe përmes trashëgimisë kulturore, duke e vlerësuar lart edhe bashkëpunimin me Zyrën e BE-së dhe Ambasadën e Francës.

Zëvendësministrja Bakija-Deva ka shprehur gatishmërinë e MKRS-së për të bashkëpunuar edhe për të tjera iniciativa të përbashkëta në mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore si pjesë integrale e trashëgimisë evropiane dhe botërore.

Ajo ka bërë me dije se në përputhje me planin e punës dhe buxhetin, do të punohet në shume lokalitete arkeologjike si në: Kalanë e Vuqakut, Kalanë e Prizrenit, te Novobërdës, Korishës, Keqekolles, Harilaqit, lokalitetin e Dersnikut dhe Parkun Arkeologjik “Ulpiana”, një nga lokalitetet me të vizituara viteve të fundit. “Vitin e kaluar Parku Arkeologjik ka pritur 23.000 vizitorë, kurse në periudhën 1 janar deri më 1 maj të këtij viti ka pritur 7,000 vizitorë”, ka deklaruar zëvendësministrja Bakija-Deva.

Ajo ka bërë me dije se shumë shpejt MKRS-ja do të promovojë para opinionit publik disa nga gjetjet shumë të rëndësishme të ekspeditave nga viti i kaluar.

Bakija-Deva ka folur edhe për trashëgiminë arkitekturore, me ç’rast ka theksuar se Qendra Historike e Prizrenit mbetet prioritet.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Londra është listuar në vendin e parë si qyteti më…