Rreth 70 të rinj i bashkohen Rinisë Demokratike dhe vizionit të PDK-së në Gjakovë
Sot, në takimin e organizuar nga dega e PDK-së në Gjakovë dhe Rinia Demokratike e Kosovës, ku ishin të pranishëm z. Hajdar Beqa, kryetar i Degës, z. Xhavit Haliti, anëtari i kryesisë së PDK-së, dr. Donjet Bislimi, kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës, Edon Zeneli, kryetar i degës së RDK-së në Gjakovë, mbi 70 të rinj sot u bashkuan me vizionin e PDK-së dhe Rinisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë.
Në fjalën e rastit, kryetari i degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa ka thënë se PDK, është e përkushtuar për Rininë dhe Programi jonë është i orientuar kryesisht në avancimin e Rinisë.
“Këto anëtarësime Tuaja, e ju të rinjve, janë vlerë e shtuar për PDK-në dhe janë pikënisje e fitores se PDK-së në Gjakovë dhe në tërë Kosovën”, ka cekur z. Beqa.
Mirëseardhje ju ka dëshiruar po ashtu anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ku ka potencuar se rreth 70 të rinj nga Gjakova iu bashkuan PDK-së, të bindur se kjo është e vetmja adresë e së ardhmes së tyre.
Aderimin në familjen e madhe të PDK-së ua uroi edhe kryetari i Rinisë Demokratike, dr. Donjet Bislimi, duke cekur se vendimi i tyre, është veprim i duhur si dhe anëtarësimi në këtë parti me vizion.
Në jetë kalojmë kthesa e ndryshime të mëdha por kthesa më e mirë është ajo që sot ju solli në familjen e madhe të Partisë Demokratike të Kosovës dhe RDK-së, potencoi z. Bislimi.
Për PDK-në, ka cekur dr. Donjet Bislimi, është parti e cila në esencë dhe adn e ka vulën dhe emblemën e UÇK-së me kontributin e jashtëzakonshëm të themeluesve të shtetit që sot nuk janë në Kosovë.