Rreth 800 gjoba janë shqiptuar për gjashtë muaj nga Inspektorati i Punës
Rreth 800 gjoba janë shqiptuar për gjashtë muaj nga Inspektorati i Punës.
Shkelësit më të mëdhenj të ligjit janë sektori i ndërtimtarisë dhe i marketeve.
Shkëputje e kontratës, moskompensim i orëve jashtë orarit e gjatë festave, mungesë e sigurisë e shëndetit në punë, këto janë disa nga shkeljet e të drejtave të punëtorit që janë evidentuar në këto sektore të ndëshkuara nga Inspektorati.
Kryeinspektori i Punës, Hekuran Nikçi në intervistën për KosovaPress, thotë se nga janari deri në qershor kanë realizuar mbi 5900 inspektime.
Po ashtu, deklaron se gjatë këtij viti ka vdekur një person në vend të punës si pasojë e kushteve të punës.
Ai thotë se mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve ka për qëllim vetëdijesimin e subjekteve.
“Për periudhën janar – qershor të këtij viti, Inspektorati i Punës ka realizuar në total 5 960 inspektime, apo 2 285 inspektime më shumë se sa në vitin 2023. Gjatë kësaj periudhe janar – qershor të këtij viti ka shqiptuar 787 masa ndëshkimore apo gjoba, që i bie 385 masa ndëshkimore më shumë se vitin e kaluar. Masat ndëshkimore siç edhe e dini shqiptohen në subjekte juridike të cilat shkelin dispozitat ligjore të Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë, Ligjit të Punës dhe çdo ligj tjetër që mbikëqyrim zbatimin e tij”, ka deklaruar Nikçi.