Rreth 85 mijë fëmijë mund të kenë vdekur në Jemen
Rreth 85 mijë fëmijë nën moshën pesë vjeç mund të kenë vdekur nga kequshqyerja gjatë tre vjetëve luftë në Jemen, ka bërë me dije organizata bamirëse ndërkombëtare “Save the Children”.
“Numri është i barabartë me gjithë popullsinë nën pesë vjeç në qytetin e dytë më të madh të Britanisë së Madhe – Birmingham”, ka njoftuar “Save the Children”.
Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar muajin e kaluar se deri në 14 milionë qytetarë të Jemenit janë në prag të urisë.
OKB-ja po përpiqet të ringjallë bisedimet për t’i dhënë fund luftës trevjeçare, e cila ka shkaktuar krizën më të keqe humanitare në botë.
Jemeni është shkatërruar nga konflikti. Lufta u përshkallëzua në vitin 2015, kur një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi një fushatë ajrore kundër lëvizjes rebele Huthi, e cila e ka detyruar presidentin Abdrabbuh Mansour Hadi të largohej jashtë vendit.