Rreth 9 mijë zyrtarë publik këtë vit obligohen ta deklarojnë pasurinë
Rreth 9 mijë zyrtarë publik këtë vit janë të obliguar ligjërisht që ta deklarojnë pasurinë e tyre vjetore. Por për herë të parë me këtë obligim do të ballafaqohen rreth 4 mijë nga ta.
Nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit kanë thënë se të gjithë zyrtarët që nuk e deklarojnë pasurinë apo e deklarojnë në mënyrë të pasaktë do të ballafaqohen me kallëzime penale. Ndërkaq, ish drejtori i këtij institucioni, Hasan Preteni vlerëson se ndaj këtyre rasteve drejtësia po heshtë.
Zyrtarët e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit kanë nisur t’i mbledhin të dhënat për rreth 5 mijë zyrtarë publik.
Të njëjtit deri në fund të këtij muaji duhet ta deklarojnë pasurinë e tyre vjetore.
Por gjatë këtij viti, listës i janë shtuar edhe 4 mijë zyrtarë të tjerë, që ligji i detyron për herë të parë ta kryejnë këtë obligim.
Këtyre zyrtarëve, afati për deklarim të pasurisë iu është zgjatur deri më 31 maj. E nëse nuk e deklarojnë pasurinë ose e lajmërojnë në mënyrë të pasaktë për ta do të ketë kallëzime penale.
Ish udhëheqësi i kësaj Agjencie, Hasan Preteni, është i pakënaqur me sistemin e drejtësisë, për të cilin thotë se po hesht kundrejt këtyre rasteve, duke drejtuar kritika ndaj masave ndëshkuese për personat të cilët nuk po e kryejnë këtë obligim.
E pas rritjes së koeficientit, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi kanë thënë se mund të ketë ndryshim të vlerave të cilat deklarohen, por kjo nuk e afekton këtë procedurë.
Një vit më parë, 60 zyrtarë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë vjetore, disa prej tyre me vonesë e nga ta pati edhe me të dhëna të pa sakta. Për të gjithë këta AKP-ja ngriti kallëzime penale.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ishte dënuar në dhjetor të vitit të kaluar me gjobë prej 700 eurosh nga Gjykata Themelore në Prishtinë për shkak të mosdeklarimit të pasurisë për vitin 2020 brenda afatit ligjor.
Ndryshe, në 2024-tën edhe mjekët e mësimdhënësit sipas ligjit do ta kenë për obligim ta deklarojnë pasurinë.