Rreth fjalimeve (diskutimeve) filistine dhe karagjoze
Hasan Mujaj
Në kohën antike, atyre zyrtarëve të lartë të qyteteve/shteteve, fjalimet e të cilëve nuk i plotësonin kriteret gjuhësore, sidomos nga stili, u merrej e drejta e paraqitjeve me fjalimet zyrtare në foltoret publike!
Fjalimi publik, si një lloj i veçantë shprehjeje, mund të paraqitet në formën e shkruar ose të folur. Ai është objekt i studimit të retorikës dhe i shkencave të tjera simotra të kësaj dijeje. Por, pasi retorika nuk është hulumtuar sa duhet në studimet shqiptare, edhe fjalimi publik, në pjesën mbizotëruese të rasteve, ka mbetur i pagjurmuar sa duhet në gjuhën shqipe në foltoret zyrtare të institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës. Në shumë shtete, me zhvllim të lartë të arsimit e të shkencës, retorika është program i veçantë mësimi e studimi në universitete, ka literaturë të pasur nga kjo disiplinë shkencore, botohen vepra, mbahen seminare dhe simpoziume shkencore në nivel shtetesh e në shkallë ndërkombëtare etj.
Mirëpo, nuk ndodh kështu në Kosovë: retorika as nuk studiohet në universitete, as nuk ka botime studiuesish në gjuhën shqipe për këtë shkencë, as nuk mbahen takime shkencore që retorika të vihet si temë trajtimi etj. Prandaj, s’është habi që fjalimet publike të shumë oratorëve tanë, janë në shkallë të ulët, shumë të ulët sa i takon formimit retorik dhe sa u përket diturive të shkencave të tjera të komunikimit.
Shumë zyrtarë të lartë të shtetit si p.sh.: ministra, zëvendësministra, deputete/deputetë, liderë partish politike, rektorë, dekanë, kryetarë komunash, drejtorë shkollash etj., ç’është për keqardhje të madhe, vetëm nga fjalimet e gjora publike, dëshmojnë se u mungojnë njohuritë madje elementare të “shkollës së zhvillimit” siç e quante V. Gëte retorikën (“Schule des Verstellens”).
Retorika është parë edhe si disiplinë e shkencës së tekstit tek piqet me stilistikën letrare dhe gjuhësore duke sajuar figura të shprehësisë së lartë nga tingujt gjuhësorë, në nivel tekstëzimi si kokonstituentë të stilizimit ekspresiv dhe impresiv të tekstit. Ajo është art i të folurit në fjalimet publike, të cilat krijojnë yshtje (bindje) tek auditori. Por, do mbajtur parasysh fakti se retorika që nuk vihet në funksion të së vërtetës, shpie në dinakëri, në qesëndi e gërnja dhe, si e tillë, do mënjanuar nga përdorimi. Kjo retorikë, ç’është për çdo kritikë, është shumë e pranishme edhe në institucionet më të larta të Kosovës!
Oratorët: deputetët, ministrat etj. me kapital të kufizuar leksikor sa i përket fjalorit që e kanë në kompetencë, sidomos të gjuhës në të cilën flasin, sikundër shihet shpeshherë nga foltoret zyrtare, kanë vështirësi të mëdha për të ndërtuar tekstin e shprehjes së mendimit. Thënë ndryshe: nuk dinë të diskutojnë, andaj gabimisht kanë hyrë në politikë. Sepse, studiuesi gjerman Armind Burkhardt, me të drejtë shkroi: “Jeta e politikanit është: të flasë, të shkruajë, të lexojë.” (Das Parlament und seine Sprache, Tybingen, 2003, 117). Kështu p. sh. ata deputetë që nuk dinë të diskutojnë, dinë t’i shajnë koleget/kolegët me shprehjet më vulgare, me kërcënime, fyerje, grindje etj. Autorët e fjalimeve të këtilla kanë mangësi të mëdha, tejet të mëdha për ta gjuhëzuar mendimin sipas kritereve të gjuhës standarde shqipe dhe të tekstologjisë.
Në kohën antike, atyre zyrtarëve të lartë të qyteteve/shteteve, fjalimet e të cilëve nuk i plotësonin kriteret gjuhësore, sidomos nga stili, u merrej e drejta e paraqitjeve me fjalimet në foltoret publike! Po të ishte ky kriter edhe sot, do të ishte i vogël, tejet i vogël numri i atyre që do ta kishin të drejtën të paraqiten përpara opinionit me fjalimet publike!
Fjalimet zyrtare – kukuvriqe
Prandaj, si rrjedhojë e deficitit të madh të diturive gjuhësore, zyrtarët e lartë të shtetit, përdorin trajtat dialektore në fjalimet nga foltorja zyrtare për të cilat, (trajta), në shtetet ku gjuha standarde mbrohet me ligj nga gabimet, do të dënoheshin. Sa për ilustrim e konkretizim, po sjell disa shembuj nga fjalimet publike të atyre zyrtarëve që nuk e dinë gjuhën standarde shqipe, por i duan pozitat e larta!
Dukuri e shkeljes së gjuhës standarde nga zyrtarët e lartë të shtetit, ndër shumë të tjera, është edhe shkrirja e togjeve zanore: ue, ua, ye, ie në përbërësin e parë në sistemin emëror, mbiemëror e foljor në rastet kur ato duhet të ruhen të plota p. sh.:” m’susi, dilli, me fitu, me thy, mu zhvillu, i interesum me shku;” një ish- ambasadore tha: “Kosova është çliru, pavarësu, zhvillu, ndërtu.” Gabim i madh morfologjik-gramatikor. Trajtat foljore dialektore në përdorimin zyrtar të gjuhës standarde! Një prorektore thotë: “…si me thonë jonë bo hapa…; qaj Senati, studentave etj.”; një deputet: “shteti jonë”; një juriste: “…osht pranu, u takun”; një ish-deputete: “… jena bo shtet; për mu; me shku me diskutu“ ; një lider i një partie politike thotë: “çu dalim në zgjedhje”; një deputet:“s’jom tu bo hajgare”; një tjetër:” po du me folë”; një ish- deputet: “s’jom i lirë”,” s’ kam vrapu”; një zyrtar i lartë i shtetit tha: ”me i bë pa vetë, pa pytë…”: forma gramatikore e paskajores gege me pjesëzën me tani antistandarde, kurse folja bëj në standard, pra dysim varietetesh; një ish- deputete:“ shumë politikajë tonë,” në vend të: politikanët tanë; një ish- ministër, në fomularin e pasurisë, shkroi: “kam një trull…” në vend të truall; një ish- deputet: “nër tavolinë” etj. Parafjala “nër” e ish- deputetit është trajtë diatopike e parafjalës së rasës kallëzore nën dhe “nër” nuk duhet të përdoret në komunikimin zyrtar etj.
Trajtat e këtilla gjuhësore –dialektore– mund të përdoren në bisedat e lira private, por assesi në fjalimet, intervistat e diskutimet zyrtare. Kështu ligjvënësit shkelin ligjin e vlerës më të lartë kombëtare e shtetërore – ligjin (d. m.th. gramatikën) e gjuhës standarde shqipe! Sepse,“Gjuha nuk është pronë private”që, zyrtarisht, të përdoret si kush të dojë – thotë filozofi i shquar gjerman që u mor edhe me vlerën e gjuhës amtare, J. Habermas sipas të cilit, në veçoritë parësore identitare të kombit, qëndron gjuha amtare. (Winfried Noth, Handbuch der Semiotik, 2. Auflage, Stuttgart, 2000, 394).
Trajtat e larttheksuara të foljeve etj. mund të dëgjohen e të lexohen nga ata/ato që nuk e përfundojnë me sukses të merituar as klasën e tetë të shkollës fillore! Ato janë trajta kukuvriqe për nivelin zyrtar; janë dëshmi se ç’përgatitje arsimore e kulturore kanë shumë zyrtarë të lartë të shtetit, pra edhe ç’formim kulturor ngase gjuha është e lidhur ngushtë me kulturën. Shprehjet e sipërapostrofuara, që përdoren përditë në fjalimet e diskutimet nga foltoret zyrtare, janë shumë të rënda dhe tregues të mungesës së diturive elementare – gramatikore të gjuhës standarde shqipe.
Mark Tul Ciceroni, njëri nga studiuesit e retorët elitarë të përbotshëm, i jepte rëndësi të posaçme gjuhës së fjalimit publik. Edhe sot është e njohur thënia e tij: “Njeriu definohet nga gjuha që e flet.” Aksiomë. Më se e vërtetë. (H. Mujaj, Formimi retorik, Pejë, 2019, 30).
Autorët e fjalimeve dhe të diskutimeve, sidomos të natyrës politike, sikundër vihet re nga fjalimet e tyre, del e kuptueshme se nuk lexojnë literaturë përkatëse, nuk përgatiten për ta trupëzuar mendimin sipas kritereve shkencore të retorikës në të cilat (kritere) vendin qendror e zënë: aspekti përmbajtësor i temës dhe formulimi gjuhësor i ekspozimit të fjalimit etj. Paraqitjet e mendimeve të zyrtarëve të shtetit duhet të mbështeten edhe në dijen e politolinguistikës, e cila ka shumë kohë që është themeluar si shkencë e re dhe ndjek hulumtimin shkencor të zhvillimit të komunikimit politik në të dy format e shprehjes: gojore e shkrimore. Ajo (politolinguistika) është shkencë empirike e linguistikës aplikative; ajo integron përbërës të disiplinave shkencore të gjuhësisë dhe të dijeve të politikës. Zhvillimi i saj zuri fill e mori shtrirje të gjerë në vitet e 90-ta të shek. XX në krye me studiuesin A. Burkhardt si analizë kritike e gjuhës politike dhe, nga dijetarët e shkencave të bashkërenduara, u kualifikua si shkencë e ndërlidhur- dyjare dhe u vu midis linguistikës e politologjisë.
Labërgimi i kësaj dijeje shënoi një lartësim jo vetëm teorik, por edhe pragmatik, sidomos nga Universiteti i Vjenës: aty u themelua një sektor nergut për studimet më të thelluara të politolinguistikës, e cila është me shumë vlerë të themelohet, të studiohet dhe të zhvillohet edhe në pragmatikën politike të Kosovës. Kjo nga fakti se politika do një pararendje kognitive veçanërisht nga shkencat e integruara sikundër është politolinguistika, por edhe shkencat e tjera të komunikimit.
Nga ky këndkundrim (i fjalimit publik) është me rëndësi të mbahet parasysh, madje të përfillet, thënia e Sokratit: “Njihe veten.” Praktika dëshmon se në Kosovë askush nuk niset nga kjo thënie para se ta marrë një detyrë të re pavarësisht a është kompetent për pozitën e ofruar!
Si qëndrojnë institucionet më të larta të shtetit të Kosovës si: Kuvendi i Kosovës, Qeveria, Presidenca etj. shikuar nga kjo dritë? Dobët. Shumë dobët. Shkaku: për arsye se këtu zhvillohet politikë pa kritere; nuk kërkohet dhe nuk vlerësohet aftësia, por mbizotëron nepotizmi për t’i punësuar të afërmit!
“Këtu i padituri i di të gjitha!”
Veprimit të këtij nëntitulli i përgjigjet konstatimi ironik i viganit dhe i eruditit apodiktik- i Fan Nolit: “Këtu i padituri i di të gjitha!” Përdorimi i shprehjeve fyese ndaj kolegeve/kolegëve në fjalimet dhe diskutimet publike- zyrtare është i pranishëm, sidomos në foltoren e Kuvendit të Kosovës. Ai është tregues i mungesës së potencialit intelektual si dhe i varfërisë së fjalorit në kompetencën e komunikimit, e cila, te shumë deputete/deputetë, del të jetë shterpë dhe nuk mund ta ushqejë, ta furnizojë stilin jo se jo me mjetet artistike – figurative që e estetizojnë dhe e pasurojnë shprehësinë e tekstit të fjalimit /diskutimit.
Nga ky aspekt i fjalimit/diskutimit publik është me vlerë të përhershme thënia e Sami Frashërit: “ Bukuria e njeriut përbëhet nga bukuria e fjalës që e flet.”
Zgjedhja e fjalëve për të ndërtuar tekstin e fjalimit publik nuk është veprim i lehtë; ajo nuk duhet të jetë e shpejtë, por e hulumtuar nga pasuria leksikore e gjuhës si nga përmbajtja semantike, ashtu edhe nga forca stilistike për ta formuluar tekstin; ajo do vështruar edhe nga “ligjet gramatikore” në ç’fushë shumë oratorë të institucioneve të lartpërmendura, sikundër shihet nga shembujt e sjellë në këtë shkrim, janë të krahasueshëm me nxënësit filloristë me sukses të mjaftueshëm!
Fjalimi/diskutimi publik, veçanërisht ai i zyrtarëve të lartë të shtetit, është edhe vetërrëfim i formimit kulturor të oratorit, sidomos nga shkencat e komunikimit. Ai duhet të hapë hulli të reja zhvillimore për shtetin dhe jo vetëm të paraqesë glorifikime folklorike për partinë politike së cilës i përket për të qëndruar ose për të ardhur në pushtet.
Shumë zyrtarëve të lartë, posaçërisht atyre të pozitave drejtuese, u mungon kultura e njohjes së gjuhës standarde shqipe; ky deficit njohjeje mund të shihet e të dëgjohet nga fjalimet, diskutimet, intervistat e tyre etj.,të cilat dallohen për gabimet e mëdha jo vetëm të gramatikës së shqipes, por edhe të logjikës semantike. “Arsyetimi”, sipas tyre, është: “nuk jam gjuhëtar!” Arsyetim për qesëndinë. Ata që provojnë ta arsyetojnë mungesën e kulturës gjuhësore me këtë shprehje, flasin gjepura. Dërdëllisje. Njoh shumë intelektualë që, nga përgatitja shkollore nuk janë gjuhëtarë, mirëpo kanë aftësi e pasuri leksikore për të ndërtuar stil të lartë shprehjeje si nga pikëpamja kuptimore, ashtu edhe nga ajo gjuhësore.
Se shprehja “nuk jam gjuhëtar” nuk qëndron si arsyetim i atyre që nuk dinë të shprehen, mund të shihet edhe nga një intervistë e një rektori në të cilën gabimi nuk është çështje gjuhe, por e logjikës që këtu ka krijuar tautologji semantike: “Kurrë në jetë prej kësaj dite nuk kam ndërhy në asnjë pranim të studentëve, në asnjë avancim…” Shprehje alogjike e rektorit! “Prej kësaj dite” e hedh poshtë kuptimin e shprehjes pararendëse “Kurrë në jetë…” dhe krijon hapësirë të nënkuptohet se deri në këtë ditë mund të ketë pasur ndërhyrje. Pasi gazetari ia rikujtoi disa shprehje të mëparshme kuptimisht të gjymta, rektori u përgjigj: “nuk jam gjuhëtar!”
Nga ky vrojtim i gjuhës aspak më mirë nuk qëndrojnë as disa rektorë të tjerë, as disa dekanë, as disa ministra, as shumë deputetë/deputete, as disa analiste/analistë etj.
Gjuha është veprim
Për t’u shënuar kthesë përmirësuese rreth temës së fjalimeve publike, duhet të hartohet e të miratohet ligji që e mbron gjuhën standarde shqipe nga trajtat dialektore në përdorimin zyrtar të saj, por t’i kushtohet vëmendje e posaçme edhe edukimit gjuhësor në të gjitha nivelet e arsimit nga fakti se gjuha amtare nuk është vetëm gramatikë; ajo (gjuha) është më shumë sesa gramatikë. Ajo është veprim. Ta rikujtojmë shpeshherë përpara nxënësve, studentëve dhe auditorit mendimin e Mit-hat Frashërit për vlerën e rëndësinë gjuhës shqipe: “ Themelin e diturisë dhe të atdhetarisë e përbën gjuha shqipe.”
Autori i veprës “ Parlamenti dhe gjuha e tij “ shkruan: “Marrja me gjuhën e politikës është detyra më e rëndësishme e shkencës së gjuhës dhe e mësimit të gjuhës.” (“ Die Beschαftigung mit der Sprache der Politik ist daher eine der wichtigsten Aufgabe fur Sprachwissenschaft und Sprachunterricht,” 145 ). Përdorimi i gjuhës parlamentare duhet të shihet në dritën e ndërlidhjes së shkencave të gjuhës, sidomos të semantikës, sintaksës, pragmatikës etj. (Aty, 146) Gjuha shtrihet edhe në disa disiplina shkencore jogjuhësore si p. sh.: në kulturë, sociologji, psikologji, etnografi etj., sidomos në filozofi dhe në bijat e saj: pragmatika, hermeneutika, estetika, etika etj.
Meditim pragmatik, analog me atë të Ciceronit, për relevancën e gjuhës është edhe vlerësimi i filozofit gjerman Martin Hajdeger: “Unë nuk e flas gjuhën, por gjuha më flet mua.” Thënie e trupëzuar, e cila duhet të mbahet parasysh sa herë që flasim zyrtarisht përpara dëgjuesve! Pra, se ç’përgatitje kulturore, arsimore etj. ka oratori, tregon gjuha e tij.
Shkenca e gjuhësisë, ashtu sikundër edhe dijet e tjera, sidomos vitet e fundit, është pasuruar e degëzuar me disiplina e subdisiplina të reja, të cilat i kanë zgjeruar e thelluar kërkimet shkencore duke i ndjekur ato në dritën e vëzhgimeve të dijeve të integruara. Kështu edhe në studimet e filologjisë shqiptare gjuha zuri të kapet në trajtim edhe nga disa fusha e fushëza të specializuara si nga: filozofia e gjuhës, shkenca e kulturës, gjuha e bisedës, semiotika, stilistika gjuhësore, aksiologjia, politolinguistika, pragmalinguistika etj. Në këto fusha kërkimesh shkencore duhet të përqendrohen dhe të ndiqen studimet e së ardhmes të
gjuhësisë shqiptare.
Të veprojnë “policët e gjuhës”
Gjuha shqipe ka studiues të formatit të gjerë e të thellë të dëshmuar me veprat shkencore edhe nga dijet e sipërpërmendura. Duhet të zhvillohet më shpejt edhe kritika gjuhësore ashtu siç është zhvilluar kritika letrare. Autorët e kritikës gjuhësore studiuesit gjermanë, me të drejtë logjike, i quajnë me termin “ policë të gjuhës ”(Sprachpoliziste), do të thotë veprimtari e ngjashme: policët e ruajnë rendin publik, edhe kritikët e gjuhës e ruajnë dhe mbrojnë gjuhën standarde nga përdorimet e gabueshme. Oratoria është zotësi që ndjek kriteret e retorikës, e cila është shkollë e specializuar zhvillimi për përpilimin dhe ekzekutimin e fjalimeve publike. Oratorët më të spikatur, deri në gjashtë herë, i kanë rivëzhguar fjalimet publike duke bërë ndërhyrje e korrigjime.
Si shembull veprimi: ish-kryeministri i Britanisë së Madhe V. Çerçili, nobelist i oratorisë që hyri në historinë e retorikës si emër i përhershëm, në kërkesën e gazetarëve për intervistë të shkurtër (vetëm pesë minuta), u kërkoi atyre kohë për t’u përgatitur! Qëndrim shumë i përkorë i kryeministrit për t’u marrë shembull veprimi se fjala publike, veçanërisht e zyrtarëve të lartë të shtetit, nënkupton përgjegjësi të madhe.
Që të ngrihet kultura e gjuhës standarde në institucionet e larta të shtetit, drejtuesit e tyre do të duhej të kenë edhe këshilltarë gjuhësorë ashtu siç kanë për fushat e tjera me qëllim që fjalimet publike të zyrtarëve të mos dalin konfuze semantikisht, të zhveshura stilistikisht dhe dialektore gjuhësisht siç mund të dëgjohen dhe të lexohen përditë në medie të ndryshme në gjuhën shqipe.