Rreth një mijë bashkëatdhetarë mblidhen në turnirin humanitar në Gjermani, grumbullohen mijëra euro
Afër një mijë mërgimtarë janë mbledhur në turnirin humanitar të organizuar nga Qendra Kulturore Shqiptare.
Në këtë turnir, i cili nisi të dielen në mengjes dhe përfundoi në mbramje kanë marrë pjesë 50 ekipe nga vende të ndryshme të Gjermanisë.
Drejtësinë në disa nga ndeshjet e ka ndarë, gjyqytari i licensuar nga FIFA, Bekim Zogaj.
Të pranishmëve me nga një fjalë rasti i janë drejtuar, Halil Kastrati nga ‘Jetimat e Ballkanit’ dhe aktori i njohur Kreshnik Ibrahimi.
Kastrati e Ibrahimi falënderuan të gjithë për pjesëmarrjen masive, ndërsa vlerësuan lartë edhe kontributin e shoqatës që ka organizuar këtë turnir.
Sipas tyre, organizime si këto tregojnë edhe një herë shpirtin human të mërgimtarëve.
Ndërsa, Xhevat Llumnica nga Qendra Kulturore Shqiptare tha se përveç humanizmit, organizime si këto shërbejnë edhe si mundësi që shqiptarët edhe pse në mërgim të ndajnë kohë me njëri-tjetrin.
Ai falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në këtë turnir.
Në këtë turnir janë mbledhur mijëra euro që do të dhurohen për “Jetimat e Ballkanit”.