Rreth romanit “A ka kund Zot” të Agim Gjakovës
Ajete Zogaj
“Ky roman u kushtohet të gjitha nënave të botës, të cilat ndjenjën e amësisë e kanë përmbi gjithçka.”- Ky tekst përkushtues është dhënë nga autori në fillim të romanit “A ka kund Zot” të Agim Gjakovës, që shenjëzon vlerën universale: Njerëzoren e humanizmin.
“Fjalët e mia due me ia tregue varrit. Kurrkund nuk po ka varr…[…]”; “Bacë, ti duhet me vdekë pa zbardhë drita!”; ”Si jetove ashtu vdiqe, Bacë!”; ”Ooo, Nanë Bora, edhe djem katërmbëdhjetë vjeç nuk ka ma, me ta ba arkivolin!”(Faqe, 5-7).
Është ky prolog me të cilin fillon romani “A ka kund Zot” i Agim Gjakovës, për ta përgatitur lexuesin me një varg ngjarjesh të hidhura, rëniesh e ngritjesh, flijimesh e terrori, të një periudhe të rëndë që kaloi populli i Kosovës në luftën e fundit.
Derisa në shumicën e librave të shkruara për luftën përgjithësisht, heronjtë janë burrat, Agim Gjakova, me romanin “A ka kund Zot” i vë në piedestal të qëndresës, Nënat – Gratë – Motrat e Vajzat të cilat qëndruan dhe vazhduan jetën e katundit të shkrumbuar. Janë gra e vajza, të cilat pa asnjë burrë në katund, u përballën me ‘njerëzit me pushkë ’, me mençuri, me durim, me flijimin sublim, duke bërë gjithçka për shpëtimin e fëmijëve – vazhdimësinë së jetës.
Në roman s’ka heroizma të hiperbolizuara ‘si në këngët me çiftelia’, por është një realitet i rëndë, ku luftën për jetë a vdekje e bëjnë Gratë!
Tablo të shumta shpërfaqin një gjendje e rrethana të hidhura, që aq bukur ka ditur ta realizojë pena e vyer e Agim Gjakovës.
Gjuha e romanit është gjuha e artit, pa mitizim, pa bujë e pa zhurmë, gjuha që shpreh njerëzoren. Ai nuk i përshkruan ushtarët e paramilitarët serbë, në stilin ‘të armatosur deri në dhëmbë’ apo ‘çetnikë’, por i emërton vetëm si “njerëzit me pushkë’, e që në mënyrë filozofike do të thotë njerëz të armatosur që luftojnë me gra, me njerëz të paarmatosur.
Vdekja e Bacës dhe heroizmi e mbijetesa e Nanë Borës
E gjithë ngjarja e romanit zhvillohet në një katund të Kosovës, që fillon me vdekjen e Bacës, për të ndarë në dy tablo shumë interesante syzheun e romanit, të cilat i ngjajnë një skenari filmi të realizuar në dy pjesë.
Tabloja e parë me gratë, vajzat, plakat e fëmijët e katundit në përballje me ‘njerëzit me pushkë’ dhe pamja e dytë me Nanë Borën dhe djemtë e ri të katundit në bjeshkë për të shpëtuar nga ‘njerëzit me pushkë’.
Agim Gjakova bukur i ndërlidh këto dy tablo sa lexuesi ‘mbahet i lidhur fort’ me ngjarjet dhe ndodhitë, sikur e ‘shëtit’ sa në bjeshkë, sa në katundin e lodhur nga mizoritë.
Në fakt, me Nanë Borën fillon dhe përfundon romani. Ajo personifikon mençurinë, zgjuarsinë e vetëflijimin e një Nëne shqiptare, me aftësinë dhe me gjeturinë e saj për t’i pasur lakmi dhe ushtarakët më të lartë.
Vdekja e Bacës (burrit të Nanë Borës) është vdekja e burrit të fundit të katundit, ndërkaq nuk kishte burra ta varrosin. Katundi kishte mbetur në fëmijë e në gra, kurse në secilën shtëpi kullonin plagët e dhimbjes për humbjen e më të dashurve të tyre:
“Nëpër mjegullën e syve më lëvizën rrobat e përgjakura të të katër djemve të vrarë që nisën të pikonin aty mbi cergë, të njomnin fierin e thatë…U gjunjëzova”. (faqe 7).
Në një situatë të tillë shumë të vështirë, Nanë Bora merr djemtë e katundit (të gjithë të vegjël, por ajo i quan burra) dhe pa u hetuar niset në bjeshkë për ta varrosur Bacën. Gratë i porosit që të gatuajnë ushqime se i duheshin t’i marrë me vete.
Tablotë e përshkruara të mënyrës së jetesës në Nanë Borës pas vendosjes (varrosjes së Bacës në një zgavër lisi) në Pojatat e Staneve në bjeshkë, si dhe mënyra e mbijetesës dhe sakrificës së saj për djemtë, janë tablo që të mrekullojnë për mendimet që ngërthejnë, gjeturinë e mençurinë e një Nëne.
E ndodhur në stane me djemtë e rinj (të cilët i kishte amanet nga nënat, e që ishin fija e fundit për vazhdimin e jetës në katund) Nanë Bora vendosi të sfidojë të gjitha vështirësitë.
Në stane gjeti pak ushqim që kishte mbetur, pa shtojë e mbulojë, por ajo gjendej si një Nanë e mirëfilltë, si një edukatore e madhe.
Jeta në bjeshkë ishte shumë e vështirë, por ajo me zgjuarsinë e saj gjendej edhe në situata më të vështira. Madje edhe bykun e sharrës kujtohet të sitë e ta bëjë ushqim për fëmijët. Detyrohet të dalë e të mbledhë bimë në vend të ushqimit, e për shërimin e njërit nga djemtë, detyrohet të shkojë në një vend shumë të rrezikshëm…
Ajo bën luftë për jetën. Nuk ishte luftë me armë, por luftë e vështirë sa me armë. Ballafaqon shumë rreziqe, edhe kur bletët i sulen, edhe kur ariu i del para t’ia merr mjaltin…
Gjatë gjithë qëndrimit në bjeshkë Nanës Borë i shfaqet Baca i cili në formë përfytyrimi i jep kurajë e forcë të qëndrojë: “Ata kanë ikë, plakë! […] Plakë…! zëri i Bacës u përvaj në atë gjëmë të papajtueshme. “Nuk…ka më shkije në katund” (faqe, 197), është zëri i Bacës që i sillej në veshë Nanës Bore, si zëri i një profeti, që e udhëzon atë të kthehet në katund me djemtë e ta vazhdojë jetën. Kthimi i saj me djemtë përmbyll edhe romanin “A ka kund Zot” për të përcjellë vazhdimësinë e jetës në vatrat e shkrumbuara.
Kryepersonazhja e romanit Nanë Bora, është personazhi më i dashur e më i realizuar, krahas disa grave e vajzave të cilat përjetojnë situata të rënda nën tytat e pushkëve.
A ka kund Zot?
Jetë e rëndë e plot rreziqe ishte edhe jeta në katundin e mbetur në mëshirën e Zotit, e rrethuar nga “njerëzit me pushkë”. Katund i mbërthyer në vellon e vdekjes.
Ngjarjet dhe tablotë e përshkruara nga autori, u ngjajnë filmave horror… Dhuna e torturat që përjetojnë gratë, vajzat dhe fëmijët e katundit janë çnjerëzore. Megjithatë ato durojnë dhe e mbajnë fshehtësinë për vendndodhjen e Nënë Borës, për varrin e Bacës e veprime të tjera.
Dhunë dhe presion ndaj grave nuk ushtrojnë vetëm ‘njerëzit me pushkë” e Kryepari, por edhe Frymëzuesja e cila nuk kishte ndjenja njerëzore, nuk kishte ndjenja nëne:
“Krismat e automatikut të Frymëzueses i shtynë të linin hamendjet të nxirrnin kryet. Ato panë paramilitarët të suleshin drejtë kullave[…] Atëherë ato kujtuan se u erdhi fundi dhe para vdekjes kërkuan falje vjehrra nuses e nusja vjehrrës, kunatat ndër veti…
- O hallall, moj nuse!
- Mos fol kështu, moj nanë!
- Po, a thue edhe fëmijët, a!?
- O a ka kund Zot që ndien, more heeej!(faqe 53)
Në roman ka shumë skena të trishta, që nuk mund t’i imagjinojë mendja njerëzore, sidomos kur një zemër guri e një gruaje, siç ishte Frymëzuesja, ushtron dhunë ndaj grave e vajzave, madje dhunë çmendurie.
Është rrëqethës momenti kur Frymëzuesja vret njërën nga vajzat më të bukura e të guximshme të katundit, Sukoren.
“Sukores iu mbushën sytë me lot, zemra me hidhërim e shpirti me vrer. E shtyu përsëri. Frymëzuesja qëndroi një çast në mëdyshje. Një përbindësh ndjenje e fëlliqtë ligësie dhe një shpim zemërimi, se Sukorja nuk do të shtrihej me të dhe ajo vetë nuk kishte atë mundësi mashkullore ta përdhunonte, ia errësuan krejtësisht mendjen. Me një xhelozi të shfrenuar orteklëshuese, ajo nuk deshi që kurrsesi ta shijonin të tjerët, nuk mundi ta lejonte atë gjendje ku të ishte dëshmitare e epërsisë së të tjerëve. Çoi dorën te këllëfi dhe nxori pistoletën. Sukores i pikoi loti nga mjekra. E kuptoi se nuk kishte më nga të dilte prej andej.
– Oj shkiiinë…- krisma e pistoletës ia preu fjalën. Gjiri i saj çurgoi gjakun e kuq që spërkati edhe frymëzuesen dhe Sukorja u lëpi murit dhe ra e vdekur. Plumbi ia kishte shpuar zemrën. (faqe 132).
Me gjithë torturat e maltretimet gratë qëndrojnë; detyrohen të zbatonin urdhrat e ‘njerëzve më pushkë’: të gatuanin për ta, të hynin në ara e të numëronin nga dy e tre herë stapat e misrit në ara, meqenëse ata përdornin lloj-lloj torturash, deri tek vrasja e prerja në fyt e fëmijëve, vetëm e vetëm që të mësonin ku ishte plaka e katundit, Nana Borë me djemtë, po ato nuk tregojnë.
Skena e prerjes në fyt të foshnjës së Ruhanës, dhunimi i grave dhe vajzave, hedhja e tyre në bunarë, deri edhe te vrasja e qenve të fshatit, është një skenë çnjerëzore, prandaj shpesh herë sikur kishin humbur besimin në gjithçka…shumë herë drejtoheshin me duar lart nga qielli duke thirrur me zë të lartë në formë lutje për shpëtim, e në formë mallkimi për ata që ua shkaktuan gjithë këto vuajtje: “Ruhana pa se se ai ia nxori thikën, ia vuri në qafë dhe ia këputi kokën djalit shtatë muajsh. Pastaj e vendosi mbi kaptell të djepit.
– Ooo Zot! Ooo a ka kund zemër njeriu!- u dëgjuan thirrjet dëshpëruese e zemërplasta […]-Ooo, Zot! A ka ma tepër, ooo Zot! Ç’faj paskan pasë fëmijët tanë, oj tokë!
– O Zot! Ti nuk je kërkushi! Ti nuk po ua ndalë dorën, o Zot!”(faqe 86, 87, 135)
Duke lexuar këtë roman, siç ngjet edhe në veprat e tjera të Agim Gjakovës, mund të themi me plotë kuptimin e fjalës se ai i ka siguruar vetës një vend meritor në letërsinë shqipe, me stilin e vet personal të rrëfimit dhe me larminë e zhanreve letrare që ka krijuar.
Romani “A ka kund Zot” i Agim Gjakovës, është një thirrje mendje e shpirti, një roman i përjetuar shpirtërisht dhe i shkruar me një mendje të hapur; një roman vlerash të veçanta për tragjedinë dhe luftën e fundit në Kosovë.