Rreth tetë mijë banorë të Gjakovës po bëhen me rrjet të ri elektrik
I njohur si “Ura Terzive”, projekti më i ri që po implementohet në komunën e Gjakovës, së shpejti do të finalizohet.
Në vazhdën e një sërë projektesh, të cilat aktualisht po realizohen gjithandej nëpër Kosovë, edhe ky projekt hyn në kuadër të planit investiv të KEDS-it, i cili, bashkë me qindra projekte të tjera, çon te një e ardhme e qëndrueshme e furnizimit me energji elektrike përmes integrimit të teknologjisë më inovative energjetike.
Sipas planit të paraparë, tashmë po bëhet vendosja e 277 shtyllave elektrike, bashkë me përçues elektrikë, dhe e 32 trafostacioneve, duke përfshirë edhe ormanët dhe stabilimentet e tjera elektrike të nevojshme.
Projekti Ura Terzive përshkon fshatrat Fsheji, Rogova, Kushavec, Ujzi, Smaqi, Pnishi dhe Muhadër. Afër shtatë kilometra të këtyre linjave janë rrjet nëntokësor, ndërkaq njëzet kilometra të tjera janë rrjet ajror. Ky projekt kap vlerën prej më shumë se 700,000 eurosh, dhe pritet të përfundojë brenda këtij viti.
Banorët e kësaj ane, afër tetë mijë, sa llogaritet se do të përfitojnë nga ky projekt madhor, së shpejti do të kenë një rrjet komplet të ri elektrik, që nënkupton qëndrueshmëri në furnizim me energji elektrike dhe, mbi të gjitha, siguri në rrjet. Përfaqësuesi i fshatit Rogovë, z. Islam Gashi, thotë se elektrifikimi i fshatit është bërë që në vitin 1967, porse nuk ka qenë realizuar siç duhet, çka u ka sjellë vështirësi në furnizim me energji elektrike.
“Sot, me punën tuaj, shihet një përmirësim i madh. Si banorë të kësaj ane jemi shumë të kënaqur me këtë projekt të KEDS-it”, thotë ai.
Me vënien në funksion të rrjetit të ri elektrik do të hiqen edhe shtyllat e vjetra dhe përçuesit elektrikë, të vendosura që disa dekada më parë nëpër terrene të papërshtatshme, shpeshherë zor të qasshme nga ekipet e KEDS-it për mirëmbajtjen e tyre.
KEDS është dhe mbetet i përkushtuar që konsumatorëve t’u ofrojë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike anembanë Kosovës.