IMK: Rrezikohet mbyllja e medieve, shkaku i pandemisë
Instituti i Medies në Kosovë (IMK) në bashkëpunim me kompaninë “D@D”, kanë prezantuar sot në një konferencë për media, hulumtimin “Efekti i pandemisë Covid-19 në mediet e Kosovës”.
Fazli Veliu, kryetar i bordit të Institutit të Medieve, ka thënë se pandemia ka prekur mediet sa i përket të ardhurave.
Sipas tij, shumë medie lokale rrezikojnë të mbyllen, për çka ka kërkuar mbështetjen e Qeverisë.
Mospërfshirjen e gazetarëve në Pakon Emergjente, ai e ka quajtur gabim, ngase siç thotë ai gazetarët ishin më të ekspozuarit gjatë kësaj kohe.
“Kemi bërë një hulumtim se sa humbej i ka shkaktuar Covid-19 medieve. Ndikimi i pandemisë ka prekur shumë mediet, dhe kanë qenë gazetarët më të ekspozuarit. Gazetarët janë heronjtë, të cilët rrezikuan jetën gjatë pandemisë. Hulumtimi flet për gjendjen e medieve gjatë pandemisë. U bëjmë thirrje Qeverisë që t’i fusin në Pakon Emergjente gazetarët në kategorinë ku janë mjekët dhe policia me nga 300 euro”, ka thënë ai.
Veliu u bëri thirrje Qeverisë të lirojë nga taksa për vitin 2020 mediet.
“Mediet lokale janë në rrezik dhe të mbyllen, pra rreth 15 medie. Qeveria duhet ta merrë seriozisht këtë gjë dhe të mbështesë ekipin e medieve që kanë raportuar. Qeveria duhet ta heqë taksën për licencë në mënyrë që të shpëtohen mediet. Tash e tre muaj ka medie që nuk kanë marketing, sepse burimi kryesor i tyre është marketingu”, u shpreh Veliu.
Safet Fazliu, nga “D@D”, ka thënë se shifrat e dala nga hulumtimi janë shqetësuese për rrezikun e mbylljes së medieve.
“Janë anketuar 92 kompani mediale duke përfshirë TV, radio, portale dhe të gjitha llojet e medieve. Krahas anketimit online është bërë edhe një ‘desk research’ për të parë ndikimin nga pandemia. 97.7 për qind e medieve janë deklaruar se koronavirusi ka ndikuar në punën e tyre. 38 për qind e medieve janë obliguar ta reduktojnë stafin e tyre. Hulumtimi na tregon qartë se mediet janë në rrezik dhe të mbyllen disa mediume që operojnë që nga paslufta është për të ardhur keq. Mbyllja e medieve nuk është alternativë”, ka deklaruar Fazliu.
(A. M / Epoka e re).