Rrezikohet përmbushja e agjendës legjislative
Nga 126 ligjet e parapara në strategjinë e këtij viti, Kuvendi i Kosovës ka miratuar deri më tani 27 prej tyre.
Ky numër i ligjeve të miratuara, nga deputetët po shihet si pasojë e punës së ngadaltë të Kuvendit.
Legjislatura e gjashtë e Kosovës, po përballet në vazhdimësi me mungesë të kuorumit dhe si pasojë po pengohet në vazhdimësi vendimmarrja dhe miratimi i ligjeve.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nezir Çoçaj, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se ku bëhet fjalë për miratimin e ligjeve, problemi është te vetë deputetët, të cilët, sipas tij, nuk po shprehin interesimin e duhur për punë.
“Ka deputetë në komisionin tonë që thotë ‘jam deputet i opozitës dhe nuk më intereson që këto ligje të kalojnë’. Nëse ne e shohim punën pozitë – opozitë, e nëse bëhen këto lojëra, ne mundemi çdo herë çështjet e shtetit ose çështjet më primare, sidomos ligjet që kërkojnë edhe partnerë të tjerë, t’i bllokojmë çdo herë”, ka deklaruar Çoçaj.
Megjithatë, Çoçaj mendon se për dallim nga legjislatura e kaluar, kjo e gjashta është me efikase.
Nga ana tjetër, deputeti opozitar nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, ka thënë se në Kuvendin e Kosovës aktualisht nuk ka debat përmbajtjesor, nuk ka trajtim serioz të projektligjeve dhe nuk ka as miratim të ligjeve.
“Ky koalicion qeverisës krejt përkushtimin e tij e ka në atë se si të mbijetojë. Duke e parë se ata janë një minorancë (pakicë), duke e parë se kanë probleme të brendshme mes raporteve të subjekteve politike që e kanë ndërtuar koalicionin, qoftë me Listën Serbe, apo edhe me partitë të tjera minoritare, ata krejt angazhimin e tyre e kanë për mbijetesë. Nëse angazhimi i tyre është për mbijetesë, gjithë mandati tjetër kushtetues, qoftë i Qeverisë, qoftë i Kuvendit është në margjina. Dhe si rezultat kjo po ndodh, ne në Kuvendin e Kosovës po mbajmë takime shumë rrallë’, ka thënë Selmanaj.
Kritika të mëdha në drejtim të deputetëve të Kuvendi të Kosovës, për mosmiratim të ligjeve ka Instituti Demokrati i Kosovës (KDI), që monitoron punë e këtij institucioni.
Artan Murati, nga KDI-ja, tha se si edhe legjislaturat e kaluar edhe kjo legjislaturë, duket që tani se nuk do të arrijë të përmbushë planin e hartuar.
Janë edhe 36 ligje të cila po shqyrtohen në Kuvend, por në KDI thonë se ato deri në muajin korrik nuk do të mund të miratohen, nëse vazhdohet me këtë ritëm të punës në komisione.