Rrezikojnë kampionët në fuqi, Lakersat shumë afër ‘play-off’
Janë ndeshjet e fundit të sezonit të rregullt dhe skuadrat po bëjnë maksimumin për të hyrë në zonën “play-off”. Kampionët në fuqi të Golden State po rrezikojnë të jenë mes gjashtë më të mirëve pas humbjes që pësuan në fushën e Denver Nuggets.
Kryesuesit e Konferencës së Perëndimit fituan 112-110, duke lënë pas dy humbjet e fundit dhe mbajtur kreun. Ishte një përballje e ekuilibruar deri në fundin e saj. Edhe pse pa Jokiq, skuadra vendase arriti të fitojë falë 29 pikëve të Porter dhe 25 të Murray. Po në këtë konferencë, erdhi fitorja e tretë radhazi për Los Angeles Lakers, që mundën me rezultat 134-109 Houston Rockets jashtë fushe. Davis me 40 pikë ishte lider në parket për kalifornianët, ndërsa LeBron James realizoi një “triple double”, 18 pikë, 10 rebound dhe 11 asistim.
Në Lindje, në krye të renditjes qëndron Milwaukee Bucks, që mundi 117-104 Philadelphian, dy ekipe rivale në NBA. Maxey me 29 pikë e Embiid me 28 nuk arritën t’i japin fitoren Philadelphia, ndërsa për Bucks u dallua i zakonshmi Antetokounmpo me 33 pikë e 14 rebound.
Rezultatet
Charlotte – Toronto 108-128
Brooklyn – Utah Jazz 111-110
Chicago – Memphis 128-107
Minnesota – Portland 105-107
Atlanta – Dallas 132-130
New York – Washington 118-109
Orlando – Detroit 128-102
Sacramento – San Antonio 134-142
Houston – Lakers 109-134
Oklahoma – Phoenix 118-128
Cleveland – Indiana 115-105
Milwaukee – Philadelphia 117-104
Denver – Golden State 112-110