Rrezikon 20 vite burg aktorja amerikane: Pranoj fajin tim, më vjen turp
Aktorja e famshme hollivudiane, Felicity Huffman ka paguar 15.000 dollarë për të marrë pjesë në një skemë mashtrimi, që i lejonte të bijës pranimin e pamerituar në kolegj.
Huffman është një nga 14 prindërit, të cilët ranë dakord të pranojnë akuzat, ndërsa hapi i ardhshëm është një seancë dëgjimi në gjykatë dhe më pas dhënia e dënimit.
Në një deklaratë publike, aktorja e njohur kryesisht për rolin e saj në serialin “Shtëpiake të dëshpëruara”, tha se e kishte “tradhtuar” vajzën e saj, Sofia, duke paguar dikë që të ndryshonte rezultatet e saj të provimit, për të përmirësuar mundësitë e saj për të hyrë në një universitet të mirë, teksa kërkonte përulësisht falje.
“Pranoj fajin tim dhe me keqardhje të thellë dhe turp për atë që kam bërë, pranoj përgjegjësinë e plotë për veprimet e mia dhe do të pranoj pasojat që dalin nga këto veprime. Më vjen turp për dhimbjen që i kam shkaktuar vajzës sime, familjes sime, miqve të mi, kolegëve të mi dhe komunitetit arsimor. Dua t’u kërkoj falje atyre dhe sidomos dëshiroj t’u kërkoj falje studentëve që punojnë shumë çdo ditë për të hyrë në universitet dhe prindërve të tyre që bëjnë sakrifica të jashtëzakonshme për të mbështetur fëmijët e tyre dhe e bëjnë këtë me ndershmëri”, thuhet në deklaratë.
Dënimi maksimal për akuzat e ngritura ndaj aktores është 20 vite burg, tre vite liri me kusht dhe një gjobë prej 250.000 dollarë.
Kujtojmë se një skandal gjigant ka përfshirë disa nga universitetet më prestigjioze të Shteteve të Bashkuara, përfshirë këtu të famshmin “Yale”, një nga më prestigjozët në botë.
Sipas autoriteteve amerikane, një skemë e ndërlikuar korruptive lejonte studentë të pasur të shmangnin standardet e rrepta të këtij universiteti. Autoritetet kanë arrestuar deri më tani 50 persona, përfshirë këtu 33 prindër të pasur e të famshëm, të akuzuar për pastrim parash, mashtrim, dhe korrupsion.