Rreziku nga dezinformatat, Hoxhaj: Edukimi medial të bëhet pjesë e kurrikulës shkollore
Profesoresha universitare, Remzie Shahini Hoxhaj konsideron se edukimi medial duhet të bëhet pjesë e kurrikulës shkollore në mënyrë që të ngritët vetëdija e gjithë shoqërisë për rëndësinë e informatave faktike.
Në një intervistë për The Geopost, ajo thekson se në këtë mënyrë luftohen dezinformatat dhe Kosova iu bashkohet shteteve perëndimore, të cilat tashmë veç kanë ndërmarrë hapa në këtë drejtim.
“Edukimi medial nuk duhet parë vetëm si një lëndë, si një aspekt i të mësuarit në shkolla, por edhe mediat duhet të krijojnë programe, shkruajnë artikuj sikurse puna juaj, që të informohet publiku çka duhet dhe çka nuk duhet bërë në procesin e informimit”, thotë ajo mes tjerash, transmeton Telegrafi.
Se sa është Kosova e edukuar medialisht?, Hoxhaj është përgjigjur: Ne si departament i gazetarisë, e kemi parë nevojën për një gjë të tillë që nga viti 2010 dhe ne nga viti 2011 e kemi pjesë të kurrikulës tonë programore edukimin medial, d.m.th studentët tanë pajisen edhe me njohuri për aspektin e edukimit medial, mirëpo jemi munduar që edhe të bëhemi një zë publik, jemi munduar që ta aplikojmë këtë edhe në sferën më të gjerë, jemi munduar që të bisedojmë me institucionet përgjegjëse siç është Ministria e Arsimit, komisionet tjera për arsim në kuadër të Kuvendit që ta fusim çështjen e edukimit medial si pjesë të kurrikulës shkollore. Besoj në botë është bërë shumë evidente që çrregullimi informativ që ka ndodhur, d.m.th dezinformimi, keqinformimi, propaganda, kanë bërë që te shumë vende të ngritët vetëdija dhe ta fusin çështjen e edukimit medial edhe pjesë të kurrikulës shkollore”.
“Ashtu si e përmendët edhe ju edhe në shkolla fillore dhe të mesme, bile në vende tjera ka edhe në çerdhe, p.sh e di që kam qenë pjesë e një konference në Bruksel në vitin 2015, e cila është konferencë për lirinë e shprehjes dhe zhvillimin e mediave dhe një profesoreshë e Sorbonës nga Franca pati treguar që me rastin e Charlie Hebdo, atakut në gazetën satirike ‘Charlie Hebdo’ në vitin 2015 në Francë qeveria franceze ka ndërmarrë masa dhe e ka futur pjesë të kurrikulës shkollore edukimin medial dhe nxënësit, fëmijët të mësojnë qysh prej çerdheve. Për mua ka qenë jashtëzakonisht interesante ta kuptoj pse ata e kanë parë të rrugës ta fusin edukimin medial në çerdhe dhe ajo më shpjegoi që p.sh ata ishin të interesuar t’ju tregojnë fëmijëve të arrijnë të tregojnë se ku është dallimi në mes të një gazetari dhe një blogeri dhe kur e sheh ky është një dallim goxha i rëndësishëm e sidomos në kohën në të cilën ne jetojmë, ku secili mund ta prodhojë një informatë”.
“Kjo shkon përtej asaj, deri te verifikimi i informatës, sepse një gazetar e ka një redaksi e ka një kryeredaktor dhe ajo informatë kalon nëpër disa filtra, përderisa një bloger, një freelancer, ai e publikon ashtu siç ai mendon se mund të jetë e vërteta, mirëpo shpeshherë ne arrijmë të biem pre e dezinformimit, pikërisht për shkak të shpejtësisë së lajmit në kohën në të cilën ekzistojmë, duke u munduar që ta japim të parët informatën ne shpeshherë përhapim dezinformta, për shkak se nuk i verifikojmë këto informata a janë të sakta apo jo, dhe pikërisht kjo është shumë e rëndësishme t’iu shpjegohet nxënësve dhe fëmijëve, studentëve për shkak se në kohën në të cilën jetojmë, liria e shprehjes është shumë më e lirë sesa që ka qenë në të kaluarën sepse interneti iu ka dhënë zë është atyre që kanë qenë të pazëshëm. Mirëpo, në të njëjtën kohë, interneti është bërë një platformë ku munden edhe budallenjtë të përhapin informatat e tyre, siç ka thënë edhe Umberto Eco”.