Rrëzimi i aeroplanit në Iran, Trudeau premton drejtësi

13 janar 2020 | 11:24

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka thënë se do të kërkojë “drejtësi” për të vrarët në bordin e një aeroplani ukrainas, i cili është rrëzuar javën e kaluar nga Irani.

Trudeau ka folur në Edmonton, në një vigjilje për 57 kanadezët që kanë humbur jetën në tragjedi.

Ai ka premtuar se do të kërkojë përgjigje nga Irani, i cili ka pranuar se ushtria e tij e ka rrëzuar aeroplanin gabimisht, duke shkaktuar vdekjen e të 176 njerëzve në bord.

“Kjo tragjedi nuk do të duhej të ndodhte kurrë. Dua t’ju siguroj se e keni mbështetjen time të plotë gjatë kësaj kohe jashtëzakonisht të vështirë”, ka thënë Trudeau, duke iu adresuar një turme prej rreth 2 300 njerëzish.

“Nuk do të pushojmë derisa të ketë përgjigje”, ka thënë ai.

Tragjedia ka ndodhur pak orë pasi Irani ka sulmuar me raketa balistike bazat ushtarake amerikane në Irak, më 8 janar.

Teherani fillimisht ka mohuar se ka faj.

Pasi e ka pranuar një gjë të tillë të shtunën, në Teheran dhe qytete të tjera të Republikës Islamike kanë shpërthyer protesta kundër udhëheqjes iraniane. /Rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, e udhëhequr nga…