Rrëzimi i ‘Sarajit të Vjetër’, Totaj: Njerëzit e mençur kanë dilema, Çeku jo
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka mbajtur të hënën konferencë për medie lidhur me akuzat e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çekut, karshi komunës për rrënimin e “Sarajit të Vjetër”.
Totaj është shprehur se Çeku ka akuzuar Komunën e Prizrenit pa të drejtë.
“Në konferencën e Çekut janë thënë shumë të pavërteta. Po pretendohet se komuna ka shkelur rregullat me lejen e ndërtimit të ashtuquajtur ‘Saraji i Vjetër’. Ky rast ka një histori. Nuk është rast që ka ndodhur për një afat të shkurtër kohor. Hera e parë për një kërkesë të tillë ka qenë në vitin 2018, ku dhe është refuzuar nga kryetari i asaj kohe (Mytaher Haskuka). Nga gjykata ka ardhur konfirmimi se komuna është e obliguar ta pranojë vendimin e Ministrisë së Ambientit dhe investitorët t’i pajisin me leje. Pas humbjes së rastit nga komuna, një ministri çuditërisht ka tentuar që lokacionin ta vendos nën mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore. Ky tentim ka qenë i kundërligjshëm, sepse ka filluar të ndodh gjatë procedurës së dhënies së lejes”, ka thënë Totaj.
Më tutje, Totaj ka thënë se “njerëzit e mençur kanë dilema, kurse Çeku jo.
“Imagjinata është në luftë me realitetin. Koha bashkëkohore ka probleme sepse njerëzit e mençëm kanë dilema, mirëpo si duket ministri Çeku nuk pas pasur dilema as në imagjinatën e tij për të na atakuar pa të drejtë”, ka thënë Totaj.
Po ashtu, kryetari i Prizrenit ka parashtruar një pyetje për ministrin Çeku.
“Kisha dashtë me pyet zotin Çekun për një zyrtare që është pezulluar nga puna, të sqarohet për opinionin publik se çfarë shkeljesh ka bërë?”, ka thënë Totaj.