Rrëzohen për herë të dytë në Hagë kërkesat e 20 personave në rastin kundër krerëve të UÇK-së

06 maj 2023 | 09:55

Gjykata Speciale ka njoftuar zyrtarisht se njëzet persona nuk kanë arritur të bindin gjykatësit e Hagës, as në shkallën e dytë, se janë viktima dhe të iu mundësohet pjesëmarrja në procesin gjyqësor kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Megjithëse ishin refuzuar edhe në shkallën e parë ata kanë parashtruar sërish kërkesë, kësaj radhe në Dhomën e Apelit, por përsëri janë refuzuar.

Kërkesat e këtyre 20 personave në instancën e dytë të Gjykatës Speciale janë dorëzuar nga dy avokatë qe ata i kishin angazhuar, ka thënë të premten në Hagë, një zëdhënëse e Gjykatës, gjatë një konference për gazetarë, permes internetit.

“Të mërkurën më 26 prill 2023 paneli i gjykatës së Apelit rrëzoi ankesat e 20 personave të cilët ishin lajmëruar për të marrë pjesë në proces gjyqësor si viktima. Këta persona kishin apeluar vendimin por trupit gjykues i apelit i refuzoi kërkesat e tyre për pjesëmarrje në çështjen gjyqësore ‘Thaçi dhe të tjerë’ “, ka thënë të premten një zëdhënëse e Gjykatës së Hagës, gjatë një konference permes internetit.

Procesi gjyqësor ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së ka filluar më 3 prill. Kanë dëshmuar tre persona, të cilëve publiku kosovar nuk ka mundur t’ua shohë fytyrat as t’ua dëgjojë zërin sepse seancat janë mbajtur prapa dyerve të mbyllura ose më zë e pamje të mbuluar.

Gjykata në Hagë është kritikuar se nuk është transparente jo vetëm karshi qytetarëve por as ndaj institucioneve të shtetit të Kosovës.

Megjithëse Gjykata Speciale është themeluar nga Parlamenti i Kosovës ajo i raporton rregullisht edhe OKB-së në New York përmes raportit për UNMIK-un, që dorëzohet atje sipas Rezolutës 1244, veç institucionet kosovare nuk i bën hesap, nuk i ka raportuar asnjëherë shtetit të Kosovës.

Burimi:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjatë ditës së djeshme, është mbajtur një takim në mes…