Rrezohet nga pushteti dhe arrestohet presidenti i Sudanit
Presidenti i Sudanit, Omar al –Bashir është rrëzuar nga pushteti dhe është arrestuar nga ana e ushtrisë, ka njoftuar ministri sudanez i Mbrojtjes, Awad Ibn Ouf.
Presidenti, Omar al-Bashir ka qenë për gati 30 vjet në pushtet.
Duke folur në televizionin shtetëror, ministri Awad Ibn Ouf , ka thënë se ushtria do të jetë mbikëqyrëse për një periudhë dyvjeçare tranzitore deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Ai ka shpallur gjithashtu gjendjen e jashtëzakonshme për një periudhë tremujore.
“Kushtetuta e Sudanit do të pezullohet dhe pikat kufitare dhe hapësira ajrore do të mbyllen deri në njoftimin e ardhshëm”, ka thënë ministri sudanez.
Protestat kundër Bashirit, i cili ka qeverisur Sudanin që nga viti 1989, kanë filluar prej disa muajsh.
Ministri i Mbrojtjes, ka thënë se “regjimi” po rrëzohet dhe Bashiri do të mbahet në një vend të sigurt.
Presidenti sudanez është subjekt i një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), e cila e akuzon atë për organizimin e krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit në rajonin e Darfurit në Sudan.
Megjithatë është e paqartë se çfarë do të ndodhë me të pas arrestimit të tij, transmeton “BBC”.